Vajza britanike vdes për shkak të alergjisë në akullore

Bota February 20, 2019 - 18:40
Lexo tjera detaje

Një vajzë 9-vjeçare nga Britania e Madhe ka humbur jetën pasi ka ngrënë akullore. Besohet se ajo ka përjetuar shok anfilaktik për shkak të alergjisë së madhe ndaj këtij ushqimi të ëmbël.

Ajo kishte shkuar me familje në Mijas të Spanjës për pushime. Vajza ishte alergjike ndaj qumështit dhe frutave arrore. Incidenti ndodhi javën e kaluar, ndërsa mediet lokale kanë raportuar se vajza 9-vjeçare ka vdekur të hënën, pasi kishte qëndruar disa ditë në një spital të Malagas.

Qendra turistike në të cilën ishte duke qëndruar vajza me familjen e saj ka konfirmuar se ajo është sëmurë pasi ka ngrënë akullore në një vend tjetër. Stafi i kësaj qendre i ka shprehur ngushëllime familjes, duke thënë se ata i kanë bërë përpjekjet maksimale për t’ia ofruar shërbimin mjekësor sa më shpejt që ka qenë e mundur.

Emri i vajzës nuk është publikuar nga autoritetet. Raportohet se pas dërgimit në spitalin e Malagas, ajo është transportuar në një qendër specialistike për fëmijë përderisa ka qenë në gjendje kritike.

Autoritetet spanjolle e kanë nisur një hetim për këtë ngjarje, por rezultatet e tij nuk janë bërë publike. Pritet që trupit të pajetë t’i bëhen analiza shtesë në Institutin e Toksikologjisë në Sevijë për ta zbuluar shkaktarin e vdekjes, shkruan “Daily Mail”