BE-ja rrit tarifën e vizave në 80 euro

Bota February 20, 2019 - 13:45
Lajmet e fundit nga vendi!

Bashkimi Evropian ka përditësuar rregullat e vizave për të përmirësuar kushtet për udhëtarët e ligjshëm dhe për të rritur mjetet në dispozicion për t'iu përgjigjur sfidave të paraqitura nga migrimi ilegal, transmeton "Zëri.info". 

Ambasadorët e BE sot konfirmuan në emër të Këshillit marrëveshjen joformale të arritur ndërmjet përfaqësuesve të Parlamentit Evropian dhe Presidencës Rumune të Këshillit mbi propozimin për ndryshimin e kodit të vizave.

Rregullat e reja do të sigurojnë procedura më të shpejta dhe më të qarta për udhëtarët e ligjshëm, sidomos:

Duke lejuar dorëzimin e aplikacioneve deri në 6 muaj dhe jo më vonë se 15 ditë para udhëtimit, duke siguruar mundësinë e plotësimit dhe nënshkrimit të formularit të aplikimit në mënyrë elektronike, duke prezantuar një qasje të harmonizuar për lëshimin e vizave të shumëfishta hyrëse për udhëtarët e rregullt me një histori pozitive të vizave për një periudhë që rritet gradualisht nga 1 deri në 5 vjet.

Për të siguruar që shtetet anëtare të mund të mbulojnë më mirë kostot e përpunimit të vizave pa përbërë pengesë për aplikantët e vizave, pagesa e vizës do të rritet nga 60 sa ishte në 80 euro.

Rregullorja gjithashtu paraqet një mekanizëm për të vlerësuar çdo tre vjet nevojën për të rishikuar shumën e taksës së vizës./ZERI