Pranimi i xhihadistëve evropianë, refuzime dhe debate të mëdha

Bota February 19, 2019 - 09:06
Lexoni detajet e fundit

Skepticizëm në Evropë pas kërcënimit të Donald Trumpit se SHBA-ja do t’i lirojë milicët e burgosur të “Shtetit Islamik” nëse shtetet evropiane nuk i marrin ata për t'i nxjerrë para drejtësisë.

 Shtetet evropiane reagojnë me skepticizëm ndaj kërkesës së presidentit Donald Trump për t'i pranuar dhe për t'ia bërë procesin gjyqësor luftëtarëve të të ashtuquajturit “Shteti Islamik” në vendet origjinë. Trump kërkoi të dielën që shtetet evropiane t'i rimarrin këta persona, ndryshe SHBA-ja do të jetë e detyruar t’i lërë ata të lirë, shkroi Trump në “Twitter”. "SHBA-ja kërkon nga Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe nga aleatë të tjerë t’i pranojnë më shumë se 800 luftëtarë të IS-it që i kemi kapur në Siri dhe t'i nxjerrin para drejtësisë." Kalifati ndodhet para shkatërrimit. "Alternativa tjetër nuk do të ishte e mirë, që ne ata t'i lëmë të lirë". Sipas të dhënave të kurdëve, forcave të SDF-së, Forcat Demokratike Siriane të mbështetura nga SHBA-ja, "qindra" luftëtarë të huaj të IS-it bashkë me gratë e fëmijët e tyre ndodhen në burgjet kurde dhe kampe në veri të Sirisë.

E drejta për kthim në vend, por...

Por ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, sipas agjencisë gjermane e lajmeve DPA, Heiko Maas, sheh probleme që në verifikimin e nënshtetësisë së këtyre personave. Rikthimi i tyre është i mundur vetëm "kur të jetë e sigurt që këta njerëz këtu do të paraqiten menjëherë para drejtësisë dhe nëse futen në paraburgim"

Kjo do të thotë, sipas Heiko Maas, që të kemi informacione dhe procedura hetimore, gjëra të cilat nuk janë të sigurta. "E për sa kohë kjo nuk është e mundur e shoh si jashtëzakonisht të vështirë për t'u realizuar", tha politikani socialdemokrat. Heiko Maas theksoi se nëse dikush zotëron pasaportën gjermane e ka të drejtën për t'u kthyer në vend. Por situata në Siri aktualisht është e tillë, që nuk ka mundësi për ta verifikuar këtë. "Prandaj ne do të akordohemi me francezët, me britanikët se si do të duhet të veprohet".

Më parë edhe një zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë kishte theksuar se parimisht "të gjithë qytetarët me pasaportë gjermane, edhe ata që janë të dyshuar se kanë luftuar për të ashtuquajturin” Shteti Islamik” kanë të drejtën e rikthimit". Por kusht për këtë është që të sigurohet një qasje konsullore te këta persona, gjë që momentalisht është e pamundur në Siri, sepse ambasada gjermane aty është e mbyllur.

 

Refuzime nga disa shtete evropiane

Gjermania e respekton interesin që kanë shtete të caktuara në Lindjen e Afërt për të vazhduar ndjekjen penale kundër përkrahësve të milicëve radikalë-islamikë, thekson zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në rast se këta persona kthehen në Gjermani, atëherë ata duhet të përgjigjen para drejtësisë. Politikani për çështjet e jashtme në CDU, Norbert Röttgen, kritikoi mënyrën e veprimit të Trumpit si jo konstruktive. "Nëse e shtyjmë përgjegjësinë për këtë çështje sa andej-këtej nuk kemi një qasje konstruktive", tha Röttgen. Ai kërkoi që të zgjidhet bashkërisht problemi i milicëve të IS-it.

Danimarka e ka refuzuar kërkesën e Donald Trumpit. Michael Aastrup Jensen, zëdhënësi për politikën e Jashtme i kryeministrit Lars Loke Rasmussen, u shpreh se "bëhet fjalë për njerëzit më të rrezikshëm në botë dhe ata nuk duam t'i marrim". Ndërsa Franca ka bërë të ditur në janar se do të rimarrë 130 përkrahës të IS-it. Ministrja e Mbrojtjes, Florence Parly, u shpreh për "Le Pariesien" se nuk do t'i lëmë në baltë kurdët. Nga Britania e Madhe vijnë tone të ashpra. Ministri i Brendshëm, Sajid David, është shprehur që para apelit të Trumpit kundër rikthimit të milicëve të IS-it, "Mesazhi im është i qartë, nëse dikush ka mbështetur organizata terroriste në vend, unë nuk do të hezitoj që ta pengoj këtë”, raporton DW-ja.

Ndërsa VOA shkruan se “Shteti Islamik” dikur kontrollonte mbi 100,000 kilometra katrorë territor dhe së paku tetë milionë njerëz. Tani grupi terrorist është reduktuar në një rajon të vogël brenda qytetit Baghuz - nën sulme të ashpra nga Forcat Demokratike Siriane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Donald Trump shkroi të dielën në “Twitter” se "Kalifati është gati të bjerë". Por aleatët e mbledhur në Konferencën e Sigurisë të Mynihut këtë fundjavë nuk ishin aq të sigurt. "Ka territore që janë çliruar, por ISIS-i ose terrorizmi ende nuk është mposhtur, sepse ideologjia vazhdon të jetë, njerëzit janë ende atje dhe shkaqet e rekrutimit mbeten njëlloj", thotë ministri i Jashtëm i Katarit.

Eksperti i radikalizmit Peter Neumann thotë se “Shteti Islamik” ende ka mijëra luftëtarë. "Jo të gjithë janë në ato territore që po merren. Shumë prej tyre janë fshehur. Ata janë në Mosul, në Raka, ata janë duke pritur për t'u kthyer", thotë profesori Meumann.