Pakti i Çarmatimit, në pikën zero

Bota February 15, 2019 - 08:14
Lexoni detajet e fundit

Çfarë do të ndodhë tani pas deklarimit të Moskës dhe të Uashingtonit se do t'ia kthejnë krahët Paktit të Çarmatimit? Ministrat e Mbrojtjes së NATO-s këshillohen për herë të parë për konsekuencat e mundshme, transmeton Gazeta Zëri.

NATO-ja është trazuar qëkur Moska ka thënë se do të dalë edhe ajo nga Pakti i Çarmatimit INF si reagim ndaj daljes së SHBA-së. Si duhet t'i përgjigjet Aleanca Veriatlantike rrezikut të raketave ruse? Gjendja është "serioze", tani duhet menduar për një "botë pa Paktin e Çarmatimit", tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Aleanca transatlantike nuk do që të nxitohet për ta gjetur përgjigjen e përshtatshme. Kjo u bë e qartë që në fillim të takimit dyditor të Këshillit të Mbrojtjes së NATO-s në Bruksel, takimin e parë të NATO-s qëkur SHBA-ja, e mbështetur nga NATO-ja bëri të qartë në fillim të shkurtit se vetë do të dalë nga Pakti i Çarmatimit INF të lidhur me Rusinë, për raketat me rreze të mesme veprimi, të afta për t'u përdorur si armë atomike.

 

A përjashtohet mundësia e garës së armatimeve?

Në momentin aktual, thotë ministrja gjermane e Mbrojtjes Ursula von der Leyen, Aleanca nuk punon as për të përjashtuar, as për të vendosur hierarki, as për të përfshirë. Shumë më tepër duhet lënë kohë për të diskutuar, për të vendosur në tavolinë një "propozim të arsyeshëm dhe të mençur". Ministrja e Mbrojtjes nuk e përjashton hë për hë mundësinë e një përforcimi atomik të Evropës: "Pikërisht, meqenëse ndodhemi në fillim të diskutimit është e rëndësishme që të mos fillojmë të hierarkizojmë ose të nxjerrim jashtë pika të veçanta, por të vendosim në tavolinë vërtet të gjithë gamën e çështjeve".

Për maturi në reagimet ndaj daljes prej marrëveshjes, e cila që prej 1987 ka parashikuar ndalimin e armëve atomike me rreze të mesme veprimi që ndizen nga toka, përpiqet edhe ambasadorja amerikane Kay Bailey Hutchison, e cila në bisedë me “Deutsche Wellen” thotë: "Ne nuk kemi si synim të krijojmë diçka të re në Evropë. Aq më tepër atomike". Kështu ajo konfirmon linjën aktuale të NATO-s. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, thekson në takimin e ministrave të Mbrojtjes së NATO-s, se nuk synohet operimi i "përforcimit atomik me mbështetje nga toka në tokën evropiane", raporton DW-ja.

NATO-ja kërkon maturi

Në rrethet e NATO-s thuhet se Aleanca do të këshillohej keq nëse do të përgjigjej me shpejtësi ndaj sjelljes së Rusisë. "Politikën 'Raketat me raketa' nuk e kemi ushtruar as në të kaluarën", thotë Stoltenberg. Njëkohësisht sekretari i përgjithshëm thotë se NATO-ja ndodhet në një "proces të vazhdueshëm të përshtatjes". Nëse Rusia nuk i kthehet Paktit të Çarmatimit "NATO-ja duhet të përgjigjet". Çfarë do të thotë kjo konkretisht, mbetet e hapur.

Por i qartë është plani kohor. SHBA-ja ka njoftuar për një afat gjashtëmujor daljeje nga Pakti INF, thotë një zëdhënës i NATO-s. Kjo i jep kohë Moskës që të kthehet te Pakti. Deri në muajin gusht Rusia ka shansin "të marrë një herë frymë mirë", thonë diplomatët e NATO-s. SHBA-ja ka "marrë frymë thellë shumë herë", duke pasur parasysh shkeljet, që Rusia ia ka bërë Paktit të Çarmatimit.

Gjashtë muaj kohë për të marrë frymë

Bëhet fjalë për zotërimin e sistemit me rreze të mesme veprimi “SSC-8”, tipi “9M729”. Ky sistem është në gjendje të hedhë në ajër raketa, që mund të jenë të pajisura me kokën e një rakete atomike dhe që mund të shkojë më shumë se 2000 kilometra larg. Pakti i çarmatimit ndalon raketat atomike me rreze të mesme veprimi me distanca 500 deri 5500 kilometra. Rusia e ka dhënë radiusin maksimal të “SSC-8” me 480 kilometra, pak më poshtë sesa kufiri i lejuar. NATO-ja thotë se "ka arsye të mira për të menduar se këto të dhëna nuk janë të sakta".

Të dhënat e muajve të fundit tregojnë, thotë Stoltenberg, se Rusisë i kërkohet urgjentisht që t'i kthehet kuadrit të Paktit, domethënë të shkatërrojë sistemin e përmendur me rreze të mesme veprimi. Njëkohësisht kërkohet që kontaktet diplomatike të mbesin. Pak vëmendje ministrat e NATO-s i kushtuan kësaj here buxhetit të mbrojtjes.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s tregohet i kënaqur ndryshe nga herët e tjera kur buxheti ka qenë arsye për grindje të vërteta. "Të gjithë anëtarët e NATO-s kanë dhënë më shumë para për mbrojtjen", tha Stoltenberg. Gjashtëmbëdhjetë anëtarë do të arrijnë deri në vitin 2024, synimin e deklaruar për të dhënë për mbrojtjen dy për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Gjermania, e cila planifikon 1,5 për qind, nuk është pjesë e tyre.