Reagimet nëpër botë për krizën në Venezuelë

Bota January 25, 2019 - 08:00
Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota

Venezuela është në vorbullën e një krize politike pasi kandidati opozitar Juan Guaido e ka deklaruar veten si president të vendit. DW-ja i ka përcjellë për se afërmi se si vendet e botës dhe të Amerikës Jugore kanë reaguar rreth këtij lajmi, përcjell "Zëri.info".

Lideri i opozitës dhe njëherësh edhe presidenti i Asamblesë Kombëtare Juan Guaido e ka tronditur botën të mërkurën kur e deklaroi veten si president në detyrë. Ky veprim ka bërë që bota të ndahet në dy krahë të ndryshëm, njëra palë që e njeh 35-vjeçarin si president të vendit, kurse pjesa tjetër që ngrenë zërin për presidentin Nicolas Maduro, duke kërkuar kështu edhe zgjedhje të reja.

Vendet të cilat e kanë njohur Guaidon si president

SHBA-ja: Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar që Guaido është presidenti legjitim. Ai e ka bërë të ditur përmes një postimi në “Twitter”. Ai gjithashtu është betuar që shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bëjnë të pamundurën që ta rindërtojnë forcën ekonomike dhe demokracinë në Venezuelë.

Grupi LIMA: Grupi i vendeve si Argjentina, Brazili, Kili, Kolumbia, Kosta Rika, Hondurasi, Paraguai, Peruja dhe Saint Lucia e kanë njohur gjithashtu presidentin Guaido si president të drejtë e legjitim të vendit. Kjo ka qenë një deklaratë e përbashkët.

Kurse presidenti i Brazilit Bolsonaro ka thënë që e njohin presidentin Guaido dhe do t’i ofrojnë gjithë mbështetjen politike që do të jetë e nevojshme. “Ne jemi të vendosur ta çojmë deri në fund këtë proces”, është thënë në një deklaratë.

Organizata e Shteteve Amerikane: Presidenti i OAS Luis Almagro përshëndeti njoftimin e Guaido me anë të një postimi në “Twitter”. Bashkimi përfshin të gjitha 35 vendet e pavarura në Amerikë.

Kanadaja: Ministri i Jashtëm Chrystia Freeland shpalli mbështetjen e vendit të saj për Guadion, duke u thënë për DW-në se Kanadaja “njeh dhe shpreh mbështetjen tonë të plotë për presidencën ndërmjetësuese të Venezuelës”, përcjell tutje "Zëri.info".

Vendet që e mbështesin Maduron

Kuba: Udhëheqësi socialist i dhe aleatët e Maduros kanë thënë se e mbështesin Maduron kundër "përpjekjes së grushtit të shtetit". Ministri i Jashtëm Bruno Rodriguez tha se presidenti venezuelian do të "mbizotëronte kundër ndërhyrjes imperialiste".

Bolivia: Presidenti i majtë Evo Morales gjithashtu shkroi në “Twitter”: "Kthetrat e imperializmit po përpiqen përsëri të përballojnë një goditje vdekjeprurëse ndaj demokracisë dhe vetëvendosjes".

Meksika: Qeveria e presidentit Andres Manuel Lopez Obrador refuzoi të nënshkruajë deklaratën e Grupit LIMA dhe në vend tha se do të vazhdojë të njohë Maduron si president.

Rusia: Kremlini ka thënë se Maduro ishte presidenti legjitim dhe paralajmëroi se çdo përpjekje e jashtme për të mbështetur ndryshimin e regjimit shkon kundër ligjit ndërkombëtar.

Turqia: Një zëdhënës presidencial shkroi në “Twitter” se Turqia është pro presidentit Maduro. Ai shkroi: "Vëllai im Maduro, qëndro i fortë, ne jemi pranë jush".

Kina: Ministria e jashtme ka thënë se Pekini refuzoi ndërhyrjen e jashtme në Venezuelë dhe sanksione të reja kundër qeverisë së Maduros. "Kina mbështet përpjekjet e qeverisë venezueliane për të mbrojtur sovranitetin, pavarësinë dhe stabilitetin e vendit", ka thënë një zëdhënës, përcjell tutje "Zëri.info".

Si reagoi Evropa?

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas ka thënë në një komunikatë se: "Ne i bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në Venezuelë që të ushtrojnë kujdes dhe të heqin dorë nga dhuna".

Në një deklaratë të lëshuar të enjten, BE-ja tha se të drejtat civile, liria dhe siguria e Juan Guaidos “duhet të vëzhgohen dhe të respektohen".
Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, bëri thirrje për "zgjedhje të lira dhe të besueshme".  Kurse Blloku nuk e njohu Guaidon si president.

Donald Tusk, presidenti i Këshillit Evropian, i cili përfaqëson qeveritë anëtare të BE-së, ka thënë veçmas se "ndryshe nga Maduro", Guaido ka "një mandat demokratik ndaj qytetarëve venezuelianë, sepse ai u zgjodh në parlamentin e Venezuelës”. Tusk bëri thirrje për një reagim të bashkuar nga vendet e BE-së që "mbështet forcat demokratike".

Ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron përshëndeti "guximin" e protestuesve dhe me anë të një postimi në “Twitter” ka thënë se “Evropa mbështet rivendosjen e demokracisë në Venezuelë pas zgjedhjeve të paligjshme të Nicolas Maduros”.

Ndërsa qeveria britanike e ka bërë të ditur opinionin e saj me anë të një zëdhënësi të qeverisë, i cili ka thënë se “ne e mbështesim plotësisht presidentin”.

Në favor të njohjes së qartë të Guaidos si president i Venezuelës, një zëdhënës i kryeministrit britanik Theresa May tha: "Ne mbështesim plotësisht Asamblesë Kombëtare të zgjedhur në mënyrë demokratike me Juan Guaidon si president, si dhe Asamblenë Kombëtare e cila mori votën e publikut”./ZERI