Gjermania ia ndalon aterimet kompanisë ajrore të Iranit

Bota January 21, 2019 - 23:47
Lexo Detajet

Gjermania ia ka tërhequr licencën linjës ajrore të Iranit Mahan Air, duke përmendur si arsye "shqetësimet për sigurinë" dhe aktivitetet e kompanisë në Siri.

Zyra Federale e Aviacionit tha se mori vendim për ndalimin e menjëhershëm të aterimeve të avionëve të kompanisë Mahan Air.

Zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Steffen Seibert, tha se vendimi u mor pas konsultimeve me aleatët evropianë dhe Shtetet e Bashkuara.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, e mirëpriti vendimin dhe u bëri thirrje aleatëve të Uashingtonit që ta ndjekin atë.

Mahan Air, kompania e dytë më e madhe ajrore e Iranit, është nën sanksionet e SHBA-së qysh në vitin 2011 dhe Uashingtoni u ka bërë thirrje edhe vendeve të tjera që ta penalizojnë atë.

Thesari amerikan ka kërcënuar me sanksione kundër vendeve ose kompanive që i ofrojnë shërbime Mahan Air.

Teherani i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për përpjekje për të dëmtuar marrëdhëniet e Iranit me Evropën, në mënyrë që kjo e fundit të sabotojë marrëveshjen e vitit 2015, e cila ia ka hequr sanksionet Iranit në këmbim të kufizimit të programit bërthamor.

Por, Seibert tha se vendimi për Mahan Air nuk është rezultat i presionit amerikan. /rel