Serbi, protestuesit këmbëngulin në dorëheqjen e Vuçiqit

Bota January 21, 2019 - 09:33
Lexoni më shumë lajme nga bota

Më shumë se 10 mijë njerëz marshuan sërish rrugëve të Beogradit mbrëmjen e së shtunës, për të vijuar protestat kundër regjimit të presidentit Aleksandar Vuçiq dhe partisë së tij në qeveri “SNS”

Një protestë e re e qytetarëve serbë u mbajt në Beograd, e teta me radhë, e quajtur: “Një në pesë milionë”. Protesta dhe këtë herë ka kaluar e qetë, pa incidente dhe pa praninë e dukshme të policisë së uniformuar dhe këtë herë demonstruesit shkuan pranë ndërtesës së radiotelevizionit shtetëror të Serbisë RTS, ku dëshiruan të bisedojnë me udhëheqjen e këtij shërbimi publik.

Organizatorët e protestës kanë ftuar të pranishmit për të mos hedhur vezë drejt ndërtesës së RTS-së, sepse nuk duan të sulmojnë atë që është prona e qytetarëve të Serbisë. Në ditët para protestës, domethënë, në rrjetet sociale qarkulluar thirrje - për të sjellë vezë me qëllim për të gjuajtur ndërtesën e RTS-së.

Kërkesa e vetme - dorëheqja e Vuçiqit

Aktorët Branislav Trifunoviq dhe Nikola Kojo bënë thirrje në platenë e Fakultetit Filozofik para se të fillonte marshi protestues, që kërkesa e vetme e protestës është dorëheqja e presidentit Aleksandar Vuciq dhe ia bënë me dije opozitës se qytetarët duan një qeveri, e cila do të jetë në shërbim të qytetarëve.

Trifunoviq lexoi letrën me kërkesat për opozitën, në të cilën theksohet se ata duhet të dëgjojnë popullin e tyre pasi qytetarët duan një plan të qartë, se kush do ta përbëjë qeverinë e re. “Ne jemi të lodhur me premtime të rreme të komandantëve supremë. Ne duam njerëz normalë që e kryejnë punën e tyre për të cilën ne i paguajmë”, tha Trifunoviq, ndërsa Vuçiqit i dërgoi porosi se vrasja politike e Oliver Ivanoviqit nuk ishte një incident dhe se “sjelljet mafioze dhe xhipat pa targa” nuk janë zgjidhje dhe se qytetarët nuk pranojnë ato që ai i quan zgjedhje.

Aktori serb Nikola Kojo e ka ftuar Vuçiqin të heqë dorë dhe t’i bëjë thirrje, siç tha ai: “oborrtarëve të tij për t’i dorëzuar armët e tyre dhe diplomat e rreme. Asgjë nuk do t’u ndodhë, me përjashtim të lustrimit”, tha Kojo dhe shtoi se Partia Progresiste Serbe është një shoqatë e organizuar kriminale.

Kojo tha se “qëllimi përfundimtar është Aleksandar Vuçiq”, dhe mosbindja civile duhet të shkojë deri në fund, si dhe vuri në dukje se Vuçiqi ka pezulluar të drejtën dhe ligjet, dëshiron të jetë një institucion, por ai harroi se atë e paguajnë qytetarët. “Aleksandar Vuçiq, ky është fundi”, tha Kojo, duke shtuar se qytetarët e Sebisë Vuçiqi i “përdhunoi” me konferencat e tij për shtyp.

Përballë RTS-së, të qetë dhe të zhurmshëm

Në shëtitjen protestuese përpara ndërtesës së RTS-së nuk ka pasur incidente, ndërkohë që është lexuar një apel i nënshkruar nga 105 profesorë në Fakultetin e Filozofisë në Beograd, të cilët mbështetën protestën civile. “Nëse ju rastësisht keni sjellë diçka për të hedhur, mos e hidhni ju lutem”, tha Trifunoviq.

Turma përballë ndërtesës fërshëlleu në mënyrë intensive që të dëgjohet nga “ata që tregojnë përralla” dhe përballë ndërtesës së RTS-së shpalosën në pankartë të madh ku shkruante: “Drejtësi për Oliver Ivanoviqin”. Përball Presidencës kolona u ndal duk brohoritur fuqishëm: “Vuçiq shko”, raporton VOA .

Në lidhje me protestën në Beograd, media tjetër ndërkombëtare “Reuters” raporton se më shumë se 10.000 njerëz marshuan nëpër Beograd të shtunën në mbrëmje për të protestuar kundër sundimit të presidentit Aleksandër Vuçiq dhe partisë së tij Progresiste Serbe (SNS), duke kërkuar lirinë e medies si parakusht për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Protestuesit u janë përgjigjur thirrjes së Aleancës për Serbinë, një grupim i 30 partive opozitare dhe organizatave, të cilët mbanin pankarta: "Kjo ka filluar" dhe thërrisnin "Vuçiq hajdut" në protestën tetëjavore nga ana e grupimit. Tubimet e mëparshme kanë tërhequr turma me numër të ngjashëm.

"E vetmja kërkesë që kemi është që kjo e keqe (regjimi) të largohet", tha njëri nga pjesëmarrësit e protestës, duke shtuar se, "ne duam zgjedhje, por liria duhet të vijë së pari".

Askush në zyrën e Vuçiqit nuk mund të kontaktohej për ndonjë prononcim. Presidenti më parë tha se nuk do të përkulet ndaj kërkesave të opozitës për reformat zgjedhore dhe për rritjen e lirisë së medieve edhe në qoftë se do të ketë 5 milionë njerëz në rrugë", por tha se ai ishte i gatshëm për të provuar popullaritetin e partisë së tij në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Protesta e fundit vjen pas një vizite në Beograd të enjten nga presidenti rus Vladimir Putin, i përshëndetur nga dhjetëra mijëra njerëz që kanë udhëtuar me autobusë nga mbarë Serbia.

"Unë kam ardhur këtu për të shprehur pakënaqësinë time me elitën qeverisëse", tha Ljiljana Zivanoviq, një pensioniste 64-vjeçare. "Ata (SNS-ja dhe Vuçiq) kontrollojnë të gjitha mediet, më vjen të vjellë nga gjithë ky korrupsion që po ndodh”.

Protestat janë përhapur në qytete të tjera në Serbi; në Novi Sad - qytetin e dytë më të madh, qytetin jugor të Nishit dhe disa qytete të tjera, edhe pse protestuesit jashtë kryeqytetit ishin në numër të vogël. “Unë erdha këtu për të protestuar sepse nuk ka më shtet. E gjithë fuqia përqendrohet në duart e një njeriu”, tha Luka Tripkoviq, i cili po studion për doktoratë në Fakultetin e Arteve të Bukura në Beograd.