Peshkopi francez akuzohet për fshehjen e abuzimeve

Bota January 07, 2019 - 13:44
Lexo detajet

Kleriku katolik me pozitën më të lartë që është përfshirë në skandalin e pedofilisë në Francë do të dalë në gjyq për akuzën e mosraportimit të një prifti, i cili ka bërë abuzime në vitet e tetëdhjeta dhe nëntëdhjeta.

Kardinali Philippe Barbarin, kryepeshkop i Lionit dhe njëri nga figurat kryesore të Kishës Katolike në Francë, po akuzohet bashkë me pesë të tjerë për fshehje të abuzimeve. Nëse shpallet fajtor, ai mund të dënohet me tri vjet burgim dhe 45 mijë euro gjobë. Sidoqoftë, ai i ka mohuar të gjitha akuzat.

Kisha Katolike e Francës viteve të fundit është tronditur nga akuzat për abuzime, të cilat rrodhën pas një nisme botërore nga viktimat që janë treguar të gatshme për dhënien e dëshmive. Skandalet e abuzimeve kanë shpërthyer në shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Australinë, Kilin, Irlandën dhe Gjermaninë, duke ia dëmtuar rëndë imazhin kishave.

Papa Françesku do të organizojë mbledhje të jashtëzakonshme me përfaqësuesit fetarë nga e tërë bota muajin e ardhshëm për të diskutuar për këto skandale, të cilat e kanë vënë atë në qendër të kritikave. Ai ka thënë se kisha asnjëherë nuk do të përpiqet t’i fshehë abuzimet, ndonëse personalisht është akuzuar për mbrojtje të një prifti të akuzuar për abuzime, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.