Gazetari gjerman që e varrosi 'Serbosllavinë'

Bota December 12, 2018 - 10:29
Lexo detajet!

Johann Georg Reissmüller ka qenë gazetari më me ndikim në Gjermani që kundërshtoi agresionin serb kundër popujve të Ballkanit. Me komentet e tij legjendare në «Frankfurter Allgemeine Zeitung», me gjuhën e zjarrtë, me autoritetin e pakontestueshëm dhe me njohuritë e gjithanshme mbi Jugosllavisë ai u angazhua për shpëtimin e popujve të këtij vendi nga agresioni serb.

Ai akuzonte Beogradin për «përndjekje gjenocidale» të shqiptarëve. Në historinë e re të Europës, Reissmüller është gazetari i vetëm që me shkrimet e tij e ka detyruar qeverinë gjermane të Helmut Kohlit ta pranojë pavarësinë e Sllovenisë dhe Kroacisë. Pa komentet e tij Gjermania vështirë se do të hynte në luftë më 1999 për çlirimin e Kosovës. Andaj nuk është befasi që xhami i kuzhinës së Reissmüllerit ishte i blinduar, ngase në Serbi ishte premtuar një shumë gjashtëshifrore me para për atë person që e vret këtë gazetar. Nuk arritën ta vrasin. Reissmüller vdiq të hënën në moshën 86-vjeçare. Një nekrologji për një gazetar të madh të shekullit ‘20.

Ka vdekur Johann Georg Reissmüller, i cili nga viti 1974 deri më 1999 ishte botues i «Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ). Siç njoftoi gazeta konservatore gjermane, Reissmüller vdiq të hënën në moshën 86-vjeçare në Frankfurt. I lindur në vitin 1932 në Leitmeritz (Litomëice, sot pjesë e Republikës së Çekisë), Reissmüller gjatë gjithë karrierës së tij publicistike u interesua sidomos për fatin e popujve që pas vitit 1945 qenë të detyruar të jetojnë nën zgjedhën komuniste.

Reissmüller ishte kundërshtar i rreptë i agresionit serb që u manifestua sidomos pas vitit 1991, kur filloi shpërbërja e Jugosllavisë. Mes viteve 1991 dhe 1999 ai shkroi qindra komente kundër udhëheqjes së «vonshme staliniste» të Beogradit të prirë nga Sllobodan Millosheviqi. Kundërshtimi i komunizmit kishte të bënte edhe me biografinë e Reissmüllerit. Ai si fëmijë e kishte përjetuar barbarinë e pushtetarëve komunistë, të cilët pas mposhtjes së regjimit të Adolf Hitlerit kudo në Europën Lindore filluan të ndërtojnë diktaturat e tyre. Më 1946 familja e tij u detyrua të braktisë shtëpinë në Leitmeritz. Në vagonë shumica e udhëtarëve u dëshpëruan që treni nuk u ndal në zonën amerikane, por në atë sovjetike të Gjermanisë së pushtuar. Kur në fund të viteve ’50 autoritetet komuniste të Gjermanisë Lindore arrestuan babanë e tij, i biri i tij Johann Georg Reissmüller u arratis në Gjermaninë perëndimore.

Për Reissmüllerin Stalini ishte krimineli më i madh i historisë njerëzore. Në zyrën e tij në redaksinë e «Frankfurter Allgemeine Zeitung» ky gazetar e mbante fotografinë e Stalinit – me gjasë që të mos harronte asnjëherë bindjen e tij se kush ishte diktatori sovjetik. Në atë zyrë Reissmüller në fillim të viteve ’90 e priti Bujar Bukoshin, kryeministër i qeverisë së Kosovës në ekzil. Reissmüller nuk kishte shumë nevojë t’i shpjegohej gjendja e shqiptarëve në Jugosllavi që nga pushtimi i Kosovës nga Serbia më 1912. Në librin e tij «Der Krieg vor unserer Haustür: Hintergründe der kroatischen Tragödie» [Lufta para derës së shtëpisë sonë: Prapavijat e tragjedisë kroate], botuar më 1992 në Stuttgart, Reissmüller shkruante: «Jugosllavia e parë mbretërore ishte një shtet serbomadh që i shtypte kombet e tjera; në rastin e grupit etnik shqiptar në jug, kjo shkonte deri te përndjekja gjenocidale». Reissmüller e konsideronte Serbinë «shtet krejtësisht joeuropian … me kuptim oriental të ligjit, ngjashëm si Iraku». Simpatinë më të madhe Reissmüller e kishte pa dyshim për kroatët dhe sllovenët, të cilët si kombe katolike i shihte si pjesë të pandashme të Europës në kuptimin kulturor, social dhe të civilizimit.

Në fillim të shpërbërjes së Jugosllavisë qeveria gjermane e Helmut Kohlit mbante qëndrim të rezervuar dhe refuzonte të pranonte pavarësinë e Sllovenisë dhe Kroacisë, ndërsa Franca dhe Britania e Madhe jo vetëm që s’donin të dëgjonin për pavarësinë sllovene e kroate, por kishin deri diku edhe mirëkuptim për kërkesat serbe – edhe për arsye historike: në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore serbët qenë aleatë me francezët dhe britanikët.

Juristi dhe gazetari Reissmüller e njihte mirë Jugosllavinë: më 1967 «Frankfurter Allgemeine Zeitung» e dërgoi atë korrespodent në Beograd. «Çfarë pa dhe përjetoi në katër vitet në vijim në shtetin shumëkombësh jugosllav, i cili ishte nisur rrugës për t’u shndërruar në burg të popujve, ai nuk e harroi më. Njohuritë dhe bindjet që fitoi atëherë, dekada më vonë, kur Jugosllavia u shpërbë, u bënë bazë e komenteve, të cilat janë të pashembullta – si sa i përket mprehtësisë analitike dhe largpamësisë ashtu edhe ndikimit politik», shkruan «Frankfurter Allgemeine Zeitung» në një nekrologji në numrin e së mërkurës. Reissmüller nuk mund ta kuptonte Kohlin që nuk pozicionohej qartë në anën e popujve joserbë që dëshironin të braktisnin Jugosllavisë. Gazetari ishte i zemëruar që qeveria e atëhershme e Bonnit e përbërë nga konservatorët e CDU/CSU-së dhe liberalëve (FDP) ngurronte të hiqte dorë nga Jugosllavia dhe të vendoste marrëdhënie diplomatike me Lubjanën dhe Zagrebin. Nuk është e tepërt të thuhet – dhe këtë e kanë konfirmuar ndërkohë edhe shumë studiues -: me komentet e tij Reissmüller e detyroi Kohlin të ndërrojë mendje dhe të pranojë pavarësinë kroate dhe sllovene. Vite më vonë diplomati gjerman Jürgen Chrobog, i cili nga viti 1991 ishte drejtor politik i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, do të deklaronte se komentet e Reissmüllerit e patën «çmendur» Helmut Kohlin. Një ditë, sipas Chrobog, kancelari Kohl tha: «Më vjen keq, por tash do ta shpallim njohjen».

Nga gazetarët e majtë dhe sidomos nga kalemxhinjtë dhe politikanët proserbë në Gjermani, Reissmüller është akuzuar si ushtar publicistik antiserb. Por, Reissmüllerit këto sulme nuk i bënin përshtypje. Ai shkruante në «Frankfurter Allgemeine Zeitung» se në luftë serbët janë të njohur për mizori, ndërsa në politikë për paturpësi. Sipas tij «çetnikët serbë më së shpeshti sulmojnë dy herë: në mëngjes esëll, pasdite të dehur». Në shkurt të vitit 1991 Reissmüller botoi një kryekoment në Frankfurter Allgemeine Zeitung me titullin: «Herrenvolk-Verblendung». Fjala «Herrenvolk» përdoret jo vetëm në gjermanisht, por edhe në anglisht për të përshkruar një popull që sillet si padron dhe dëshiron t’i pushtojë vendet e tjera. Ndërsa «Verblendung» domethënë verbëri. Pra, Reissmüller i referohej serbëve të fillimviteve ’90 si një popull i verbëruar që dëshiron të jetë sundues i popujve të Ballkanit. Pa marrë parasysh nga cila anë shikohet kriza jugosllave, shkruante Reissmüller, shkaktar i mjerimit në shtetin jugosllav është ambicia serbe për dominim. Ky mentalitet i popullit që dëshiron t’i sundojë të tjerët, i trajton popujt e tjerë të Jugosllavisë si objekte të vullnetit të tij për t’i nënshtruar, nënvizonte ai. Për «jugo-serbët», këta «bolshevikë militantë» që duan të ndërtojnë një «Serbosllavi» mbi rrënojat e Jugosllavisë nuk duhet të ketë vend në Bashkësinë Europiane (siç quhej atëbotë Bashkimi Europian), shkruante Reissmüller. Ndërsa publicistë të tjerë në Europë dhe në SHBA edhe në fillim të viteve ’90 besonin se Jugosllavia do të mbijetojë, Reissmüller në komentin «Kur të shpërbëhet Jugosllavia» shkruante: «RSFJ do të fundoset: këtë nuk mund ta ndalë kush (…)». Ai e quante këtë shtet instrument të dominimit serbomadh, ndërsa Armata Popullore e Jugosllavisë, sipas tij, rrezikonte popujt e tjerë që kanë shporrur bolshevizmin dhe duan të braktisin dominimin serb. Dhe vazhdonte: «Shumica e ambasadave jugosllave janë përfaqësi serbomëdha. Çka duhet të ndiejnë kroatët e sllovenët, myslimanët boshnjakë dhe shqiptarët në një shtet të tillë?»

Komentet e Johann Georg Reissmüllerit i kanë shërbyer mediave serbe që të ndërtojnë stereotipat për gjermanët përherë antiserbë. Historiani Jovo Bakiq në librin e tij «Jugosllavia: shkatërrimi dhe interpretuesit e tij» (botimi i vitit 2011) shkruan se «Reissmüller në të vërtetë aktivisht ka marrë pjesë në përgatitjen ideologjike të shkatërrimit të RSFJ-së dhe pastaj në arsyetimin e këtij akti». Historianë seriozë, ndërkaq, e hedhin poshtë këtë pretendim si propagandë.

Se çfarë traume u ka shkaktuar nacionalistëve serbë me komentet e tij gazetari gjerman Johann Georg Reissmüller tregon fakti se emri i tij është përmendur edhe gjatë gjykimit të Sllobodan Millosheviqit në Hagë. Më 16 nëntor 2004 në cilësinë e dëshmitarit në favor të Millosheviqit u paraqit në Gjykatën e Hagës akademiku serb Mihailo Markoviq. Ai tha se disa gazetarë gjermanë, mes tyre edhe Reissmülleri, «sistematikisht e kanë satanizuar Serbinë, institucionet e saj politike, ushtrinë…». E vërteta është se pa shkrimet e Johann Georg Reissmüllerit dhe të Viktor Meierit, korrespondentit të FAZ për Jugosllavinë, shumë të vërteta mbi politikën hegjemoniste serbe nuk do të merreshin vesh kurrë dhe zor se Gjermania do të hynte në luftë për çlirimin e Kosovës në vitin 1999.

Në prill të vitit 1995 Reissmüller u nderua me titullin «doktor nderi» i Universitetit të Zagrebit. U falënderua me një fjalim të mbajtur në gjuhën kroate. Kjo gradë honoris causa ishte e vetmja që e pranoi Reissmülleri, shkruan FAZ. Kur u pensionua në vitin 1999, ai nuk mbajti as fjalime, as nuk tregoi anekdota nga karriera e tij 38-vjeçare në FAZ. Ai këndoi. Këndoi këngë komuniste, që i kujtoheshin nga rinia e kaluar në Gjermaninë Lindore. Armiku më madh i komunistëve po i jepte fund karrierës së tij duke i thumbuar komunistët me këngët e tyre propagandistike. Aq mirë këndonte, saqë shtëpia diskografike «Zweitausendeins» e nxori në treg një CD me këngë të interpretuara nga Reissmüller. Më 30 dhjetor 1999 gazeta zvicerane «Tages Anzeiger» botonte një recension për këtë CD. Recensioni mban titullin: «Jeta është një melodi e bukur».

Reissmüller nuk vuante për famë. Ai nuk dëshironte që pas pensionimit gazeta të shkruante tekste për nder të 70-vjetorit apo 80-vjetorit të lindjes së tij, siç e ka traditë FAZ. Edhe shtëpia ku banonte ai me familje nuk kishte ndonjë shenjë se kush jeton prapa mureve. Por, editori i gazetës Berthold Kohler, i cili ka shkruar nekrologjinë për Reissmüllerin, zbulon një detaj interesant: vetëm njerëzit e besueshëm e dinin se dritarja e kuzhinës së Reissmüllerit ishte e blinduar, ngase në Serbi ishte premtuar një shumë gjashtëshifrore me para për atë person që e vret këtë gazetar. Nuk arritën ta vrasin. Gazetar si Johann Georg Reissmüller ndoshta nuk do të lind më. Ai ishte dëshmitar i pakompromis i shekullit ‘20. /Dialogplus