Britania e Madhe mund ta anulojë Brexitin

Bota December 11, 2018 - 10:21
Çështja Brexit

Gjykatësit e Bashkimit Evropian iu dhanë shpresë rebelëve që mbështesin mbetjen në BE duke vendosur që Britania e Madhe mund ta anulojë në mënyrë të pavarur Brexitin.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka vendosur që artikulli i 50-të të tërhiqet nga Britania e Madhe pa leje nga anëtarët e tjerë të këtij Unioni.

Nëse Britania e Madhe do të mbetet pjesë e Bashkimit Evropian do t’i mbajë të gjitha privilegjet edhe pas anulimit të procesit, që do të thotë se Britania do ta ketë të hapur opsionin për t’u larguar nga BE-ja dhe përjashtimin nga Zona Shengen.

Vendimi i 27 gjykatësve evropianë do të nxisë tensione gjatë votimit të Marrëveshjes së Theresa Mayt për Brexitin gjatë ditës së sotshme. Ky vendim do t’i motivojë parlamentarët që kundërshtojnë Brexitin që të kërkojnë për një referendum të dytë që ta ndalojë qeverinë të largohet nga BE-ja.

Por sekretari i Jashtëm Jeremy Hunt ka thënë se ky vendim është irelevant duke parë që nuk ka qenë qëllimi i qeverisë ta zgjasë edhe më shumë marrëveshjen Brexit. Çështja është dërguar nga grup i përzier i politikanëve skocez bashkë me avokatin Jolyon Maugham, që është njëherësh edhe drejtor i “Good Law Project”. Pasi gjykatësit në Luksemburg dhanë vendimin, sekretari i Ambientit Michael Gove ka insistuar që të martën të bëhet votimi i marrëveshjes, që sipas tij do të pranohet njëqind për qind pavarësisht kundërshtimeve të parlamentarëve.

Znj. Cherry ka thënë: “Jam shumë e gëzuar se tash ekziston edhe opsioni që Britania të mund të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Qeveria në Londër i ka injoruar plotësisht votat e skocezëve që të mbetet pjesë e Unionit, që është sugjeruar nga qeveritarët skocezë. Ata gjithashtu na ka në kundërshtuar në çdo hap lidhur me këtë çështje, prandaj është ironi e bukur që parlamenti skocez dhe gjykata skoceze ia kanë ofruar qeverisë Britanike një tjetër opsion lidhur me krizën e fundit” ka thënë Sturgeon.

“Një shtyrje e artikullit 50-të do të përcillet me një votim të ri, i cili do të bëjë që të anulohet komplet i gjithë ky artikull pasi tash kemi mundësi që t’i lëmë njerëzit të vendosin”, ka shtuar ajo.

Kurse Margaret Beckett ka thënë që ky vendim është një konfirmim i cili ende është në dorë të popullit që do të vendosë nëse do të vazhdojë ose jo me Brexitin ose të votojë kundër kësaj marrëveshjeje. Dhe nuk do të lejojë që të nënshkruhet marrëveshja e bërë nga qeveria.

“Ato që ndodhën gjatë këtyre javëve të fundit kanë treguar që çdo prospekt për ta anuluar marrëveshjen është larguar nga qeveria me anë të amendamenteve parlamentare të cilat kanë hyrë në fuqi edhe pse tash na është dhënë mundësia që të qëndrojmë brenda Bashkimit Evropian. Gjithsesi prapë nuk është shumë vonë”, ka shtuar ajo.

Ndërsa liberalët demokratë dhe Tom Brake kanë thënë që Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka dhënë një vendim që Britania e Madhe ka mundësi ta anulojë Marrëveshjen Brexit prandaj kryeministria për hir të njerëzve duhet që t’i largojë dyshimet dhe të vazhdojë me këtë marrëveshje.

Rruga për një alternativë tjetër ndaj Brexit

Eloise Todd nga ana tjetër ka thënë se vendimi i gjykatës ka treguar që e ardhmja e Britanisë së Madhe është në duart tona.

“Ndërsa kryeministrja përpiqet me çdo masë të dëshpëruar për të marrë marrëveshjen e saj përmes Parlamentit, deputetët duhet të pranojnë se kur marrëveshja e saj të hidhet poshtë ata duhet të lëvizin sa më shpejt që të jetë e mundur për t'i dhënë popullit të këtij vendi fjalën e fundit nëse do të qëndroni në BE ose të largoheni nga BE-ja".

Sekretari i Ambientit, Michael Gove, i ka thënë BBC-së që vendimi i të hënës nuk do ta ndryshojë për as edhe një fije planin e qeverisë. “Ne votuam dhe populli ka dhënë një vendim të qartë me 17.4 milionë vota pro marrëveshjes për t’u larguar nga Bashkimi Evropian. Kjo do të thotë gjithashtu që edhe juridiksioni i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë nuk ka rëndësi në këtë çështje”, ka shtuar ai.

Gjatë shqyrtimit të çështjes fituesit argumentuan në gjykatë se revokimi i njëanshëm ishte i mundur. Ata besojnë se mund të hapin rrugën për një alternativë tjetër ndaj Brexitit, siç është votimi i popullit për të mundësuar qëndrimin në BE.

Megjithatë, përfaqësuesit ligjorë të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar pretenduan se rasti është i papranueshëm pasi ai merret me një situatë hipotetike, pasi politika e qeverisë nuk është ajo që mund ta heqë Nenin 50-të. Ndërkohë avokatët që përfaqësonin Këshillin e Bashkimit Evropian dhe Komisionin Evropian argumentuan se revokimi është i mundur, por do të kërkonte një marrëveshje unanime nga të gjitha shtetet anëtare. Javën e kaluar Avokati i Përgjithshëm i Gjykatës kundërshtoi idenë se miratimi është i nevojshëm nga Këshilli Evropian. Në vend të kësaj Manuel Campos Sanchez-Bordona tha se Neni 50 lejon “revokimin e njëanshëm të njoftimit me qëllimin për t'u tërhequr nga BE-ja, derisa Marrëveshja e Tërheqjes të jetë zyrtarisht e përfunduar”.

Çështja u dëgjua fillimisht nga Gjykata e Sesionit në Edinburg ku dy përpjekje nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar për të apeluar kundër kërkesës në Gjykatën Evropiane u refuzuan. Sapo Gjykata Evropiane e Drejtësisë ta ketë dhënë vendimin e saj, rasti do të kthehet në Gjykatën e Sesionit, ku gjykatësit priten ta qartësojnë vendimin dhe të deklarojnë përgjigjen e Gjykatës Evropiane për të qenë ligji mbi këtë çështje.

Pas vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë Tusk ka thënë përmes “Twitter”-it se “kjo është java më e rëndësishme për Britaninë e Madhe”.

Përktheu dhe përshtati Rrona Jaka/Zëri/