Macroni i viziton zonat e dëmtuara nga protestuesit e dhunshëm

Bota December 02, 2018 - 13:47
Lexo lajmet e fundit nga bota

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e vizitoi sot vendin e dëmtuar nga protestuesit, të quajtur “Arc de Triompe”, pasi njëri prej monumenteve më të rëndësishme të Francës u dëmtua në protestën e fundit kundër ngritjes së çmimit të karburanteve. Qeveria është duke e shqyrtuar mundësinë për shpallje të gjendjes emergjente, pasi këto protesta po vlerësohen si kryengritjet më të ashpra në vite të tëra.

Grupe të maskuara të protestuesve marshuan nëpër qendër të Parisit të shtunën, duke dëmtuar shumë vetura e ndërtesa, duke thyer dyqane dhe duke u përleshur me policinë, në një kryengritje që po vlerësohet si më e rënda që nga viti 1968. Këto protesta po paraqesin sfidën kryesore për presidentin francez deri tash, kur ka kaluar një vit e gjysmë i tij në pushtet.

Besohet se presidenti do të takohet me ministrat më vonë gjatë ditës së sotme për ta shqyrtuar shpalljen e gjendjes emergjente, në mënyrë që të parandalohet përsëritja e skenave të tilla. Zëdhënësi qeveritar, Benjamin Griveaux, ka thënë se qeveria është e hapur për negociata, por nuk do ta ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve.

Nën masa të rrepta të sigurisë, Macroni foli me policët, zjarrfikësit dhe disa kalimtarë të rastit në njërën nga rrugët e Parisit, përderisa disa protestues bërtisnin “Macron, jep dorëheqje!” Protestat kishin filluar për shkak të një takse ndaj naftës, e cila do ta ngrisë çmimin e këtij karburanti në mbi 1.5 euro për litër, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.