5 dhjetori ditë zie për Bushin

Bota December 01, 2018 - 22:04
Lexo detajet

Presidenti amerikan, Donald Trump, planifikon të marrë pjesë në funeralin në Washington të ish-presidentit George H.W. Bush dhe ka shpallur të mërkurën (5 dhjetor) ditë zie kombëtare në nderim të presidentit të 41-të, ka thënë Shtëpia e Bardhë të hënën.

Edhe përkundër viteve të armiqësisë së thellë mes Trumpit dhe familjes Bush, që përfaqësojnë brende të ndryshme të Republikanizmit, Trumpi lavdëroi trashëgiminë e Bushit si veteran i Luftës së Dytë Botërore dhe shërbyes i përjetshëm publik, raporton “The Washington Post”.

Gjesti pajtues i Trumpit erdhi nga Argjentina, ku po merr pjesë në samitin G20 në Buenos Aires. Ai anuloi një konferencë të planifikuar për media të shtunën pasdite, duke shkruar në Twitter se nuk do të pranojë pyetje nga gazetarët “nga respekti për familjen Bush dhe ish-presidentin George H.W. Bush”. Dhe Trumpi tha se vdekja e Bushit e “çorienton” në darkën e tij të planifikuar me presidentin kinez, Xi Jinping, për t’i vazhduar negociatat tregtare.

Trumpi u njoftua gjatë natës atje [në Argjentinë] për vdekjen e Bushit dhe tha të ketë folur në telefon me djemtë e presidentit të ndjerë, ish-presidentin George W. Bush dhe ish-Guvernatorin e Floridës, Jeb Bush, për t’iu shprehur “bashkëndjesinë më të thellë”.
“Presidenti George H.W. Bush jetoi një jetë të gjatë, të suksesshme dhe të bukur. Kurdo që isha me të, shihja gëzim absolut për jetën dhe krenari të vërtetë me familjen e tij. Arritjet e tij ishin të mëdha nga fillimi në fund. Ishte një njeri vërtet i mrekullueshëm dhe do t’i mungojë të gjithëve”, shkroi Trumpi në Twitter.

Ish-presidenti amerikan, George Herbert Walker Bush, vdiq në shtëpinë e tij në Hjuston, të Teksasit. Ai ishte 94 vjeç.