Trumpi i mbron lidhjet biznesore me Rusinë

Bota November 30, 2018 - 18:20
Lajmet e fundit nga bota

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka mbrojtur marrëveshjet biznesore që i ka pasur me rusët para se të bëhej president i shtetit më të fuqishëm në botë. Ai i ka quajtur hetimet për këtë çështje “gjueti e shtrigave”.

Të enjten, ish-avokati i tij e pranoi se e ka gënjyer Kongresin për një marrëveshje pronësie që Trumpi e planifikonte në Moskë. Në një varg postimesh në rrjetet sociale, presidenti tha se marrëveshjet ishin tërësisht ligjore, se nuk ka investuar të holla në to dhe se e ka braktisur plotësisht projektin.

Një hetues i veçantë është angazhuar që të merret me hetimin e ndikimit rus në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në vitin 2016. Ende nuk është gjetur ndonjë dëshmi e fortë për lidhjen e fushatës së Trumpit me Kremlinin, ndërsa presidenti amerikan është deklaruar vazhdimisht kundër këtyre hetimeve.

Presidenti Trump aktualisht ndodhet në Argjentinë, ku po merr pjesë në samitin e G20-ës. Ai e ka anuluar takimin e paraparë me presidentin rus, Vladimir Putin, për shkak të zhvillimeve në Detin e Zi, me ç’rast Rusia i kishte rrëmbyer tri anije ukrainase dhe i kishte arrestuar të gjithë personat që ndodheshin në to, shkruan “BBC”./ Express.