Avioni i Merkelit kishte humbur kontaktet me kullën

Bota November 30, 2018 - 17:30
Lajmet e fundit nga bota

Kancelarja gjermane Angela Merkel do të mbërrijë me vonesë në samitin e G20 në Argjentinë pasi avioni i saj u detyrua të bënte një ulje të detyruar në Këln të enjten vonë për shkak të një defekti teknik.

“Konrad Adenauer”, një avion me katër motorë Airbus A340-300, i përdorur nga qeveria për udhëtime zyrtare dhe biznes diplomatik, u ngrit në Berlin por u kthye mbrapa kur ishte në hapësirën ajrore të Hollandës.

Ai u ul në Këln, ku Merkel shpresonte të mos ndryshonte axhendën e saj dhe me një avion zëvendësues të nisesj sërish drejt Argjentinës, por zëdhënësi i saj, Steffen Seibert u tha gazetarëve në aeroportin e Këln-Bonn se një udhëtimi i dytë për kancelaren nuk do të bëhej menjëherë për shkak të caktimit të axhendës së avionëve të tjerë qeveritarë.

Revista gjermane “Spiegel” sqaron se situata në avion ka qenë vërtet shqetësuese, pasi ata humbën komunikimet me tokën një orë pas ngritjes në qiell, duke bërë që pilotët me vendim unanim të ndërpresin fluturimin. “Der Spiegel” shkruan, se vetëm përmes telefonit satelitor ishte mundësuar që ekuipazhi në bord të komunikonte me qendrën drejtuese për të kryer zbritjen në aeroportin e Kölnit.

Situata ka qenë kaq kritike, saqë për vështirësitë në fluturim është njoftuar menjëherë edhe ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen. Për më tepër, struktura e aeroportit të Këlnit bëri që avioni të zbriste në një pistë më të shkurtër, e cila për shkak të peshës së mjetit fluturues, rezultoi në mbinxehje të frenave.