NATO rrit praninë në Detin e Zi

Bota November 29, 2018 - 22:18
Lexo detajet

Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, ka deklaruar se anijet e NATO-s në mënyrë rutinore po patrullojnë në Detin e Zi dhe se Aleanca do të vazhdojë të vlerësojë praninë e saj në rajon.

Duke folur për AA në Bruksel, Lungescu tha se NATO ka rritur ndjeshëm praninë e saj në Detin e Zi, që nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë në vitin 2014, raporton AA.

“Sot, anijet e NATO-s në mënyrë rutinore patrullojnë dhe ushtrojnë në Detin e Zi”, tha Lungescu, duke shtuar më tej se, “Tashmë në Detin e Zi ka shumë prani të NATO-s dhe ne do të vazhdojmë të çmojmë praninë tonë në rajon”.

Komentet e saj vijnë pasi presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, u bëri thirrje vendeve anëtare të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, që t’i dërgojnë anijet e tyre në Detin Azov për të mbështetur vendin e tij.

Gjatë intervistës së saj, Lungescu theksoi se anijet e NATO-s këtë vit kaluan 120 ditë në Detin e Zi, krahasuan me vitin 2017 kur kaluan 80 ditë.

“Disa aleatë kryejnë patrullimin ajror të NATO-s në rajon dhe aleatët kryejnë fluturime të rregullta zbulimi mbi Detin e Zi. Ne po ashtu kemi një brigadë shumëkombëshe të drejtuar nga Rumania me seli në Craiova. Tre anëtare të NATO-s, Bullgaria, Rumania dhe Turqia, janë shtete bregdetare me aftësitë e tyre kombëtare të dislokuara në rajonin e Detit të Zi”, shpjegoi Lungescu.

Të dielën, jashtë Krimesë Rusia pushtoi dy anije të marinës ukrainase dhe një rimorkio detare, së bashku me 23 anëtarë të ekuipazhit, duke akuzuar Kievin për hyrje në ujërat e saj dhe për provokim të një konflikti.

Rusia ndërhyri përderisa anijet e Ukrainës po zhvendoseshin nga porti i Detit të Zi të Odesë në portin e Mariupolit në Detin Azov.

Ukraina po ashtu akuzoi anijet luftarake ruse për hapjen e zjarrit mbi anijet, duke pohuar se pjesëtarët e ekuipazhit ishin plagosur dhe anijet ishin konfiskuar nga Rusia.

Rusia dhe Ukraina mbetet në mosmarrëveshje që nga viti 2014 kur Rusia aneksoi Krimenë pas një referendumi të diskutueshëm.

Turqia si dhe Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB), e konsideruan aneksimin si të paligjshëm.

Ukraina po ashtu ka fajësuar Rusinë për dhunë separatiste në lindje të Ukrainës, pranë kufirit me Rusinë.