Trump anulon takimin me Putinin

Bota November 29, 2018 - 18:49
Kjo është arsyeja

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka anuluar takimin me presidentin rus, Vladimir Putin, që ishte planifikuar gjatë takimeve të G20 në Buenos Aires.

Vendimi u mor për shkak të përplasjes së fundit të ushtrisë ruse me marinarët ukrainas.

“Duke qenë se anijet dhe marinarët nuk janë kthyer nga Rusia në Ukrainë, unë kam vendosur se është më mirë për të gjitha palët e përfshira që ta anuloj takimin me presidentin Putin”, tha Trump gjatë rrugës për në samit.

Incidenti në fjalë:

Të dielën më 26 Nëntor, Rusia pohoi se anijet e tyre ushtarake kanë përdorur armë zjarri për të ndaluar anijet ukrainase, të cilat, sipas Rusisë, kishin hyrë në ujërat e Detit të Zi në mënyrë të paligjshme. “Tre marinarë ukrainas janë plagosur dhe janë mjekuar, jashtë rreziku për jetën, ndërsa anijet ukrainase janë sekuestruar”, njoftoi Shërbimi Sekret Rus, FSB.

Ngjarja e ka acaruar situatën me Ukrainën, e cila fajëson Moskën për incidentin dhe shpallën ligjin ushtarak.

Kriza nisi të dielën, kur dy anije ukrainase, Berdyansk dhe Nikopol, u përpoqën të kalojnë nga porti i Odesës për në portin e Mariupolit, në detin Azov. Rusia akuzoi anijet ukrainase se po hynin në mënyrë të paligjshme në ujërat e tyre, në zonën e Krimesë, të cilën Rusia e aneksoi në vitin 2014.

Ukraina thotë se Rusia ishte njoftuar paraprakisht për kalimin e anijeve dhe se vazhduan rrugëtimin.  Forcat ruse u përpoqën t’i ndalojnë duke vendosur një naftëmbajtëse poshtë urës së Ngushticës së Kerçit, i vetmi kalim për në detin Azov, i cili prek brigjet e të dy vendeve. Më pas dërgoi avionë luftarakë dhe helikopterë që të kërcënonin nga ajri.

  Me qindra protestues u mblodhën gjatë natës përpara ambasadës ruse në Kiev. Ata hodhën sende të forta dhe dogjën makina që i përkisnin ambasadës.

“Kemi dalë të protestojmë pas sulmit që i është bërë ushtrisë sonë. Duhej t’i kishim ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me këtë vende, prej kohësh tashmë”, thotë njëri prej tyre.