Turqia ua dorëzon inçizimet e vrasjes së Khashoggit shteteve kryesore

Bota November 10, 2018 - 16:14
Lajmet e fundit nga bota

Turqia ia ka dorëzuar inçizimin e Khashoggit Arabisë Saudite, SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe, deklaroi presidenti i Turqisë, Ergodan, të shtunën. Është raportuar se autoritetet turke kanë siguruar pamje ku dokumentohet vrasja e gazetarit.

“Ua dhamë inçizimet Arabisë Saudite, SHBA-së, gjermanëve, francezëve dhe britanikëve, të gjithëve. Ata i kanë dëgjuar të gjitha bisedat, ata e dinë”, deklaroi Erdogan. Khashoggi ishte një kolumnist kritik ndaj qeverisë së Arabisë Saudite dhe punonte për gazetën amerikane “Washington Post”. Ai u zhduk në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll më 2 tetor.

Para nisjes për në Francë për të marrë pjesë në manifestimin e shënimit të përvjetorit të Luftës së Parë Botërore, Erdogan i kërkoi Arabisë Saudite që ta identifikojë vrasësin në mesin e një ekipi prej 15 personash që kishin ardhur në Turqi disa ditë para se Khashoggi të vritej. “Nuk ka nevojë që kjo ngjarje të devijohet. Ata e dinë me siguri se vrasësi apo vrasësit janë në mesin e këtij ekipi prej 15 vetash. Arabia Saudite mund ta zgjidhë rastin duke i detyruar këta persona që të flasin”, tha ai.

Presidenti i Turqisë e ka akuzuar edhe prokurorin e Arabisë Saudite, Saud al-Mojeb, për refuzim të bashkëpunimit me qëllim të vonesës së hetimeve. Ai e kishte vizituar Stambollin disa ditë më parë që të diskuntonte me autoritetet turke për hetimin e rastit dhe ta inspektonte konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.

Në anën tjetër, raportohet se edhe presidentët e SHBA-së dhe Francës janë pajtuar se Arabia Saudite duhet ta zbardhë rastin dhe se kjo vrasje nuk duhet të shkaktojë destabilizim të situatës  në Lindje të Mesme, shkruan “The Guardian”