Kotzias: Rezultati i referendumit në Maqedoni i kënaqshëm

Bota October 02, 2018 - 10:41
Lexoni më shumë detaje

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka theksuar se rezultati i referendumit në Maqedoni ishte i kënaqshëm pavarësisht nga pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në votim, transmeton Anadolu Agency, transmeton "Zëri.info". 

Në një program në televizionin shtetëror të Greqisë (ERT), Kotzias, ka folur për referendumin konsultativ i cili u mbajt në Maqedoni më 30 shtator.

"Pjesëmarrja në referendum, fillimisht mund të konsiderohet e ulët për ata që nuk e njohin politikën në Ballkan dhe të vërtetën e Maqedonisë. Kjo është e logjikshme sepse po të vërehet sesa vota përbëjnë 38 për qind, sa vota janë përdorur në zgjedhjet e mëparshme dhe po të bëhet një analizë e drejtë do të vërehet se nuk është edhe aq e ulët. Zaev në referendum ka marrë votat më të larta që mund të merrte", është shprehur kryediplomati grek.

Më tej Kotzias ka mbrojtur i idenë e tij se lista zgjedhore në Maqedoni nuk është përditësuar që prej një kohe të gjatë dhe se të paktën 400 mijë shtetas të Maqedonisë jetojnë jashtë vendit. "Numri i vërtetë i votuesve në vend është rreth 1 milionë e 200 mijë. Në këtë situatë Zaev konsiderohet se ka marrë vota mbi 50 për qind. Dhe kjo e përbën shumicën".

Në lidhje me presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, i cili ka kundërshtuar ndryshimin e emrit të vendit, Kotzias ka pretenduar se Ivanov është zgjedhur me më pak vota se votat "po" të dala në refundim. Ai ka theksuar se "Ivanov, presidenti i keq i vendit fqinj është zgjedhur president me 520 mijë vota. Ndërsa numri i votave në referendum është 530 mijë", transmeton më tutje "Zëri.info". 

Shefi i diplomacisë greke, duke theksuar se nuk do të jetë i lehtë miratimi i rezultateve të referendumit në Parlamentin e Maqedonisë, ka pretenduar se Zaev do të fitojë sërish në rast se shkohet në zgjedhje të parakohshme.

"Referendumi është një preferencë e Qeverisë së Maqedonisë, është përfshirë në marrëveshjen e Prespës, por jo si parakusht për zbatimin e marrëveshjes", tha Kotzias, duke vënë theksin se në çdo rast, rezultati i referendumit nuk do të ndikojë në zbatimin e marrëveshjes për të zgjidhur çështjen e emrit me Greqinë.

Nëse në Maqedoni gjithçka përfundon ashtu siç është përcaktuar, Kotzias tha se marrëveshja në fjalë do të dërgohet në Parlamentin e Greqisë deri në muajin mars dhe se qeveria e Athinës ka planifikuar ta miratojë në kuvend marrëveshjen. ZERI