Finlanda dënon me burgim të përjetshëm sulmuesin me thikë

Bota June 15, 2018 - 18:34

Një gjykatë finlandeze ka dënuar me burgim të përjetshëm marokenin, Abderrahman Bouanane, pasi ky i fundit vitin e kaluar ka vrarë dy gra në një sulm me thikë dhe ka plagosur tetë të tjera, në atë që është cilësuar si sulmi i parë islamist në shtetin nordik, transmeton Reuters.

Bouanane, që atë kohë ka qenë 22 vjeçar, ka nisur sulmin me thikë në një shesh marketesh në qytetin Turku në gusht të vitit të kaluar.

Policia ka ndaluar sulmet duke e plagosur Bouanane në këmbë, shkruan REL.

“Bounane ka synuar të lidhë krimet e tij me akte terroriste të Shtetit Islamik. Krimet janë kryer në mënyrë pothuajse të njëjtë me sulmet që janë kryer në Evropë viteve të fundit”, ka thënë gjykata teksa ka shpallur vendimin.

Grupi militant, Shteti Islamik nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Turku.

Bouanane ka arritur në Finlandë më 2016 me identitet të rremë. Ai ka filluar të radikalizohet më 2017, pasi i është refuzuar kërkesa për azil.

Dënimi me burgim të përjetshëm në Finlandë nënkupton të qëndruarit në burg të paktën 12 vjet.