Pompeo premton t'i japë nxitje diplomacisë së SHBA-së

Bota May 03, 2018 - 10:18
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi, rajoni, bota....

Sekretari i ri i Shtetit, Mike Pompeo, ka premtuar t’i japë një nxitje diplomacisë amerikane dhe të ndihmojë që Departamenti i Shtetit të rifitojë besimin.

Presidenti Donald Trump e vizitoi dje për herë të parë këtë agjenci me rastin e ceremonisë së betimit të zotit Pompeo. Ndërkohë, qindra punonjës të Departamentit të Shtetit e përshëndetën me entuziazëm sekretarin e ri të shtetit.

Morali në këtë agjenci ka rënë nën kërcënimin e shkurtimeve të mëdha të buxhetit, ndërkohë që me dhjetëra poste kyçe dhe ambasadoriale janë lënë të paplotësuara nën paraardhësin e tij, ish-sekretarin Rex Tillerson.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo u prit me entuziazëm të madh nga punonjësit e agjencisë. Zëvendëssekretari i Shtetit, John Sullivan, tha se zoti Pompeo përfaqëson një kombinim të rrallë aftësish: “Ne kemi një komandant tankesh, i cili studioi pastaj drejtësi në Harvard ku u zgjodh edhe në bordin e revistës ‘Harvard Law’”, tha zoti Sullivan.

Rival i vështirë

Zëvendëssekretari i Shtetit tha se zoti Pompeo do të jetë një rival i vështirë për kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara. Pompeo e filloi punën në avion vetëm disa orë pasi u konfirmua nga Senati, pa e parë ende zyrën e tij elegante në katin e shtatë.

"Thashë në dëshminë time se do të shpenzoj pak kohë në katin e shtatë – bëhet fjalë për katin e shtatë, apo jo? Do të shkoj atje pas pak", tha zoti Pompeo.

Ai tha se ka në plan të udhëtojë shumë dhe t’u japë një nxitje diplomatëve të karrierës kudo në botë: "Trupi diplomatik i Shteteve të Bashkuara duhet të jetë në çdo cep të botës duke kryer misione në emër të këtij vendi dhe është detyra ime e ndershme të ndihmoj që kjo të arrihet”.

Pas komenteve të para për punonjësit e Departamentit të Shtetit, Pompeo është përzier mes tyre duke u ndalur për të bërë "selfies", në kontrast të dukshëm me paraardhësin e tij të ndrojtur, Rex Tillerson.

Eksperti i politikës së Jashtme, Nil Gardiner, thotë se Pompeo do të sjellë një diplomaci të fuqishme: “Mendoj se ai do të jetë një prani shumë më e madhe në skenën botërore sesa Rex Tillerson. Mike Pompeo është njeri që, mendoj se dëgjohet shumë nga presidenti”.

Por eksperti Thomas Hill thotë se Pompeo do të ketë një detyrë të vështirë: "Unë do të thosha se ai duhet të shkojë më tej sesa të rikthejë besimin. Ai duhet të bëjë modernizimin e Departamentit, ndërkohë që do t’i duhet të merret me betejat me agjencitë e tjera që do të vijnë në mënyrë të pashmangshme, si dhe me problemet normale të diplomacisë ndërkombëtare, si Irani, Koreja e Veriut, Rusia, e të tjera”, raporton VOA-ja.

Sekretari amerikan i Shtetit akuzon Iranin

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Mike Pompeo, deklaroi se dokumentet e marra nga Izraeli tregojnë se Teherani ka gënjyer rreth programit të tij bërthamor, transmeton AA-ja.

“Për më shumë vite, regjimi iranian ka insistuar në botë se programi i tij bërthamor është paqësor. Dokumentet e marra nga Izraeli brenda Iranit pa asnjë dyshim tregojnë se regjimi iranian nuk ishte duke thënë të vërtetën”, tha Pompeo në një deklaratë. Pompeo tha se ai ka shqyrtuar shumë nga vetë dosjet dhe zyrtarët i kanë analizuar ato, analizat e të cilave do të vazhdojnë për disa muaj.

“Ne vlerësojmë se dokumentet që kemi shqyrtuar janë autentike”, tha ai. Pompeo tha se dokumentet tregojnë se Irani kishte një program të fshehtë të armëve bërthamore për vite me radhë.

“Irani kërkoi të zhvillonte armë bërthamore dhe sisteme të shpërndarjes së raketave. Deri më sot Irani fshehu një arkiv të madh atomik nga bota dhe nga IAEA-ja (Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike)”, theksoi Pompeo. Pompeo tha se mashtrimi bërthamor i Iranit nuk është në përputhje me premtimin e tij në marrëveshjen bërthamore “se në asnjë rrethanë kurrë Irani nuk do të kërkojë, nuk do të zhvillojë ose nuk do të sigurojë armë bërthamore”.

“Irani ka gënjyer dhe ende është duke gënjyer”, u shpreh sekretari i Shtetit amerikan. Pompeo po ashtu theksoi se është koha për të shqyrtuar çështjen nëse Iranit mund t’i besohet për të pasuruar ose për të kontrolluar çdo material bërthamor. Në një deklaratë të djeshme, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pretendoi se shërbimet e Inteligjencës izraelite kishin siguruar 55 mijë faqe të dokumenteve iraniane duke zbuluar se si Teherani gjoja gënjeu në botë pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të rëndësishme në vitin 2015 për të frenuar programin e saj bërthamor. Komentetet e tij pasuan një takim të fundjavës me sekretarit amerikan, Pompeo. Presidentit amerikan, Donald Trump, pritet të njoftojë vendimin e tij më 12 maj nëse SHBA-ja do të tërhiqet nga marrëveshja.