May: Ndërhyrja ushtarake në Siri në interesin tonë kombëtar

Bota April 17, 2018 - 11:55
Fëmijët sirianë po luftojnë për jetë, ndërsa mushkëritë e tyre ngulfaten nga kimikatet

 

Ndërhyrja ushtarake në Siri ishte në interesin kombëtar të Britanisë së Madhe për të parandaluar përdorimin e vazhdueshëm të armëve kimike në Siri, tha të hënën kryeministrja britanike, Theresa May, transmeton Anadolu Agency. 

"Jemi të bindur në vlerësimin tonë se regjimi sirian sigurisht është përgjegjës për sulmin dhe se sjellja e tyre tregon se ata me siguri do të vazhdojnë të përdorin armë kimike", ka thënë May në fjalimin e saj para Parlamentit britanik. 

Ajo shtoi se vendimi i Londrës për t'u bashkuar me Washingtonin dhe Parisin në ndërhyrjen ushtarake, është sjellë edhe nga aspekti human. 

"Nuk mund të lejojmë që përdorimi i armëve kimike të bëhet gjë e zakonshme në Siri, në rrugët e Britanisë së Madhe apo kudo tjetër. Familje të pafajshme që kërkojnë strehim në bunkerë nëntokësorë, u gjetën të vdekur me shkumë në gojë, djegie në sy dhe trupat e tyre ishin të rrethuar me aromë klorike. Fëmijët po luftojnë për jetë, ndërsa mushkëritë e tyre ngulfaten nga kimikatet. Fakti që një krim i tillë mund të ndodhë në botën tonë sot është njollë për njerëzimin tonë", tha May. 

Në përgjigje të sulmit me armë kimike në Duma e 7 prillit, SHBA, Britania e Madhe dhe Franca herët të shtunën bombarduan disa baza të forcave të regjimit Bashar al-Asadit në Damask dhe Homs.