Si u krijua mafia në Sicili pas një thatësire të vitit 1893

Bota January 14, 2018 - 13:06

Lidhjet historike midis klimës dhe kryengritjeve politike janë të dokumentuara mirë. Një thatësirë në Francë në vitin 1788 rezultoi me një dështim të gjerë të kulturave dhe me çmime të larta të produkteve ushqimore, për të cilat historianët besojnë se kanë ushqyer revolucionin francez një vit më vonë. Kohët e fundit, katër vitet e thatësirës në Siri mes viteve 2006 dhe 2010 krijuan papunësinë në masë, duke kontribuar në luftën civile që vazhdon deri në ditët tona. Një dokument i ri provokativ dëshmon sesi një thatësirë gjithashtu krijoi organizatën më famëkeqe kriminale në botë.

Mafia së pari u shfaq në Sicili rreth vitit 1860, duke përfituar nga qeveria e dobët rajonale e ishullit dhe distanca e saj nga Roma për të udhëhequr skema (lokale) mashtrimi. Për dekada me radhë, organizata ishte e përbërë nga kriminelë të papërmbajtur, të përqendruar rreth Palermos, kryeqytetit provincial. Kjo ndryshoi dramatikisht në 1893, një vit të thatësirës së madhe në rajon, sipas hulumtimit nga Daron Acemoglu, një ekonomist i MIT dhe bashkë-hulumtuesit e tij, Giacomo De Luca nga Universiteti i Jorkut dhe Giuseppe De Feo nga “Strathclyde Business School” në Glasgou.

Studimi, i publikuar si një dokument pune nga Byroja Kombëtare e Kërkimeve Ekonomike (që do të thotë se ende nuk është shqyrtuar nga akademikë të tjerë) argumenton se fshatarët sicilianë ishin tashmë të pambrojtur përpara thatësirës. Shumica ose morën me qira parcela të vogla të tokës ose punonin si punëtorë ditor në mëshirën e elitave që kontrollonin shumë nga pasuritë bujqësore në Sicili. Thatësira, e cila pasoi pas një korrjeje të keqe një vit më parë, dëmtoi rëndë kulturën e grurit në ishull dhe po ashtu vajin e ullirit, verën dhe elbin, transmeton zeri.info.

Thatësira dhe papunësia që rezultonte ndihmuan të nxisnin një lëvizje socialiste, Fasci Siciliani dei Lavoratori, e cila filloi në qytete por u përhap në të gjithë fshatrat ndërsa fshatarët përballeshin me vështirësi ekonomike. (Emri Fasci ka të njëjtën origjinë si "Fascist" - të dyja rrjedhin nga fjala italiane "Lidhje", por nuk është e lidhur me lëvizjen e mëvonshme politike.) Lëvizja Fasci shpejt numërohej në qindra mijëra, të organizuar në 177 kapituj në mbarë Sicilinë dhe u mobilizua për të protestuar ndaj klasës sunduese, duke kërkuar paga më të larta, kontrata më afatgjata për marrjen e tokës dhe një zhvendosje të barrës tatimore që të binte më shumë mbi pronarët e tokave.

Pronarët e tokave kërkuan nga qeveria italiane që të dërgojnë trupa për të shpërndarë Fasci-n, por kryeministri italian i majtë, Giovanni Giolitti, ishte simpatizues ndaj fshatarëve. Pra, elita ktheu kokën diku tjetër për mbrojtje: Te mafia. Gjatë gjithë vitit 1893, tubimet e Fasci u ndërprenë me dhunë nga nxitësit e mafias, shpesh duke shkaktuar trazira më të mëdha që më vonë do të shtypeshin nga ushtria. Dokumenti përshkruan disa incidente tipike:

Në Lercara, një qytet i madh në provincën e Palermos me miniera të pasura me squfur, më 25 dhjetor 1893, dhe në Gibellinë në provincën e Trapanit më 2 janar 1894, tubimet kundër administratorëve lokalë dhe taksave u shtypën dhunshëm nga rojet rurale. Në të dyja rastet, rojet e armatosura dhe të fshehura në kullën e zileve me pamje nga sheshi qendror qëlluan në turmë dhe pastaj intervenimi i njëpasnjëshëm i ushtrisë rriti numrin e viktimave. Ngjarje të ngjashme u raportuan në Belmonte Mezzagno ku dy fshatarë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën.

Studiuesit zbuluan përhapjen e mafies në 357 komunat e Sicilisë, duke përdorur raporte të qeverisë dhe policisë nga viti 1885 dhe 1900 dhe zbuluan se ajo ndërlidhej me rajonet më të prekura nga thatësira dhe rritja e mëvonshme e Fasci-t. Studimi përdor një shkallë prej 0 (ulët) deri në 3 (të lartë) për të matur aktivitetin e mafias në qytetet dhe qytetërimet e Sicilisë dhe gjeti se prania e Fasci në një komunë lidhej me një rritje prej 1.5 pikësh të veprimtarisë mafioze.

" Më shumë se 37% e forcës së mafies në vitin 1900 në të gjithë Sicilinë mund të ketë qenë për shkak të shtrirjes së saj kundër fshatarëve Fasci ", sipas dokumentit.

 Pas disa muajsh të dhunës dhe trazirave, Fasci u shpall i paligjshëm nga një kryeministër i ri në vitin 1894 dhe një goditje e ashpër rezultoi në arrestime masive dhe ekzekutime, duke i dhënë fund Lëvizjes në mënyrë efektive. Me regjistrimin e mafies si një milicia private, pronarët e tokave arritën qëllimin e tyre për të ruajtur statusin e tyre, por pasoja ishte një element kriminal i nxitur dhe shumë i zgjeruar në Sicili.

Kjo rezultoi në dobësim të qeverive lokale, të cilat kishin pasoja serioze dhe afatgjata negative për ekonominë e Sicilisë dhe efektivitetin e institucioneve të ishullit, sipas studiuesve. Për shembull, në rajonet ku prania e mafies u rrit nga 1 në 2 në indeksin e tyre nga 1885-1900, shkrimi e këndimi ra rreth 10% deri në vitin 1921 dhe përfundimi i shkollës së mesme ishte 33% deri në vitin 1961. Studiuesit zbuluan gjithashtu se rritja e mafies është e ndërlidhur me një rritje të vdekshmërisë foshnjore dhe me shpenzime të reduktuara në infrastrukturën publike si shpërndarja e ujit.

Shtetet e dobëta nuk janë në gjendje të ofrojnë mallra publike, shkruajnë autorët dhe "një prej shumë faktorëve që pengojnë zhvillimin e kapaciteteve të shtetit lokal është ndikimi i organizatave të ndryshme kriminale. Askush nuk është ndoshta aq i famshëm sa mafia siciliane".

Mafia siciliane dhe pasardhësit e saj amerikanë janë romantizuar përmes filmave dhe shfaqjeve televizive, si “Godfather”, “Goodfellas” dhe “The Sopranos”. Por, siç treguan Acemoglu, De Luca dhe De Feo, kishte pak zili në lidhje me ngritjen e saj si një forcë policore private për pasurin e Sicilisë dhe për efektin e saj dëmtues në ishull për gati një shekull./ Quartz