Shpërthim në metronë e Shën Petersburgut, raportohen viktima (Video)

Bota April 03, 2017 - 14:36

 Një shpërthim i dyfishtë ka tronditur metronë e Shën Petersburgut gjatë kësaj të hëne, duke shkaktuar të paktën 10 të vdekur, momentin kur Vladimir Putin ishte në këtë qytet.

Shpërthimet kanë ndodhur në stacionet pranë sheshit “Sennaya Ploschad”, i cili është mbuluar krejtësisht nga tymi, si dhe pranë universitetit “Tekhnologichesky Institute”.

Shërbimet e emergjencës kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ndërkohë që njerëzit po evakuohen me shpejtësinë maksimale.

Nga raportimet paraprake thuhet se njëri prej shpërthimeve ka ardhur nga një automjet i parkuar pranë, ndërsa janë shënuar edhe mbi 50 të plagosur, sipas informacioneve të organeve ligjzbatuese lokale. Mes të plagosurve ka edhe fëmijë.

Të paktën njëra nga pajisjet shpërthyese ka pasur edhe agjentë shkatërrues, ndërkohë që 7 stacione të tjera të “linjës blu” janë mbyllur përkohësisht.

Hyrja dhe dalja në stacionet e Institutit Teknologjik dhe sheshit “Sennaya Ploshchad” janë mbyllur, ndërsa trenat që kanë qenë në qarkullim janë detyruar të largohen pa ndaluar.

Kompania e metrosë thotë se të gjithë pasagjerët po evakuohen.

Presidenti Vladimir Putin ndodhej në Shën Peterburg këtë të hënë për bisedime. Agjencitë ruse të lajmeve kanë cituar zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, të thotë se presidenti është informuar mbi shpërthimet. Putin vizitonte qytetin e Shën Peterburgut sot dhe pritej të fliste edhe me homologun bjellorus më vonë gjatë ditës.