Universiteti grek kontrollon syzet e studentëve për të parandaluar kopjimin IA

Universiteti grek kontrollon syzet e studentëve për të parandaluar kopjimin IA

Auto&Tech September 04, 2026 - 20:17

Një profesor matematike në Universitetin e Patrës në Greqi ka vendosur një rregull të pazakontë për provimet e shtatorit, studentët që mbajnë syze duhet të paraqesin një vërtetim mjekësor se kanë nevojë për to.

Masa synon të parandalojë përdorimin e syzeve të pajisura me inteligjencë artificiale, të cilat mund t’i ndihmojnë studentët të kopjojnë gjatë provimeve.

Sipas medieve greke, studentët do të lejohen të marrin me vete në provim vetëm një laps, në mënyrë që të shmanget fshehja e pajisjeve elektronike në kuti lapsash apo sende të tjera.

Rektori: Më mirë të mësojnë sesa të kopjojnë

Rektori i universitetit, Christos Bouras, tha se kopjimi ka ekzistuar gjithmonë, por inteligjenca artificiale tani mund të përdoret edhe për të zbuluar përgjigje apo punime të dyshimta.

Ai u bëri thirrje studentëve të përqendrohen te mësimi dhe jo te mënyrat për të kopjuar, duke paralajmëruar se përdorimi i këtyre mjeteve, për të shmangur studimin, mund t’u krijojë probleme më vonë në jetën profesionale. /atsh