Musk financon kërkime me IA për të zbuluar Romën e Lashtë
Elon Musk ka dhuruar 1 milion dollarë për kërkime arkeologjike të mbështetura nga inteligjenca artificiale, të cilat mund të ndryshojnë mënyrën se si e kuptojmë Romën e Lashtë, sipas “The Independent”.
Donacioni është bërë për “American Institute for Roman Culture” (AIRC), një organizatë që punon për të thelluar studimet mbi kulturën greko-romake.
Gjatë ceremonisë së çmimit “Expandere Cotiae Lumennscien” u shpërndanë 11 grante për projekte që përdorin teknologji të avancuar, përfshirë IA-në.
Në një mesazh me video, Musk shprehu interesin e tij të madh për historinë, veçanërisht për Romën e Lashtë, si një shtyllë kryesore e civilizimit perëndimor. Ai tha se inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në plotësimin e boshllëqeve historike dhe në ndërtimin e “një libri të ri historie të bazuar plotësisht në materiale dhe arkeologji antike”.
Projektet e financuara po përdorin IA-në në mënyra shumë inovative. Për shembull, dronë të pajisur me teknologji IA po krijojnë modele 3D të detajuara të vendeve greko-romake në Jordaninë, të cilat rrezikojnë të humbasin nga ndryshimet klimatike.
Në Pompei, studiuesit po analizojnë “shenjat gjeologjike” të pigmenteve për të zbuluar rrugët tregtare të Romës antike.
Interesi i Musk për Romën e Lashtë është i hershëm dhe i dokumentuar mirë. Ai e ka quajtur veten “Pushtues i Marsit”, ka lavdëruar inxhinierinë romake si çelësin e dominimit të tyre historik dhe shpesh ka spekuluar për figurat e mëdha romake, si Marcus Aurelius.
Për të, Roma e Lashtë mbetet një burim i vazhdueshëm frymëzimi dhe kurioziteti.
Këto investime tregojnë se IA po bëhet një mjet gjithnjë e më i rëndësishëm në arkeologji, duke hapur mundësi për zbulime të reja që mund të rishkruajnë historinë siç e njohim sot./atsh