Irlanda nis hetimin ndaj X të Elon Musk për moderimin e përmbajtjes
Mbikëqyrësi i medias në Irlandë thotë se do të hetojë nëse njerëzit mund të kundërshtojnë vendimet e moderimit të përmbajtjes, të marra nga platforma e mediave sociale X e Elon Musk.
Coimisiún na Meán tha se do të testojë nëse njerëzit mund të apelojnë vendimet e X për të mos hequr përmbajtje që duket se shkel kushtet e shërbimit të platformës, nëse njerëzve u njoftohet rezultati i raporteve që kanë bërë dhe nëse X ka një mekanizëm të lehtë për t'u qasur për trajtimin e ankesave.
Rregullatori tha se ka shqetësime se X po shkel Aktin e Shërbimeve Digjitale (DSA) të Bashkimit Evropian, i cili kërkon që përdoruesit të kenë qasje në një "sistem efektiv të brendshëm për trajtimin e ankesave", ku ata mund të paraqesin ankesa dhe të ankimojnë vendime.
Nëse hetimi zbulon se X nuk përputhet me DSA-në, mbikëqyrësi tha se mund të vendosë gjoba deri në 6 përqind të xhiros së një kompanie, transmeton Telegrafi.
Platforma e mediave sociale gjithashtu mund të nënshkruajë një marrëveshje me rregullatorin irlandez, për të adresuar çdo çështje të pajtueshmërisë.
Kjo nuk është hera e parë që Coimisiún na Meán ka nisur një hetim mbi sjelljen në X. Në qershor, ajo kërkoi më shumë informacion se si platforma i mbron fëmijët nga përmbajtja e dëmshme.
Mosrespektimi i rregullave mund të rezultojë në një gjobë deri në 500,000 euro.
Rregullatori gjithashtu hapi një hetim në vitin 2024 nëse X, së bashku me disa platforma të tjera të mëdha, e bëjnë të lehtë për përdoruesit të raportojnë përmbajtje të paligjshme dhe ofrojnë një pikë kontakti të qartë për të bërë ankesa.
Vitin e kaluar, Komisioni Evropian e gjeti X në shkelje paraprake të dispozitave të DSA-së mbi reklamimin digjital, qasjen në të dhëna dhe "modelet e errëta" të përdorura për të ndikuar në sjelljet e përdoruesve pa pëlqimin e tyre.