
Nvidia do të investojë deri në 100 miliardë dollarë në OpenAI të ChatGPT
Nvidia planifikon të investojë 100 miliardë dollarë në OpenAI të ChatGPT dhe ta furnizojë atë me çipa për qendrat e të dhënave.
Kompanitë e njoftuan këtë veprim të hënën, duke shënuar një bashkim midis dy liderëve në Inteligjencën Artificiale, shkruajnë mediat e huaja.
Një burim pranë OpenAI thotë se marrëveshja do të përfshijë dy transaksione të ndara, por të ndërthurura: Nvidia do të investojë në OpenAI për aksione jo-kontrolluese dhe startup-i mund të përdorë paratë për të blerë çipa nga Nvidia.
Prodhuesi i çipave do të investojë fillimisht 10 miliardë dollarë dhe më pas do të fillojë të furnizojë pajisje që në fund të vitit 2026.
Të hënën, të dy kompanitë nënshkruan një letër qëllimi për të vendosur të paktën 10 gigavat sisteme Nvidia për OpenAI.
Ato synojnë të finalizojnë detajet e partneritetit në javët e ardhshme.
OpenAI ka punuar për të ndërtuar çipat e vet të IA-së si një alternativë më e lirë ndaj Nvidia.
Por një person i njohur me çështjen tha se marrëveshja e saj me Nvidia nuk i ndryshon ato plane, ose partneritetin e saj me Microsoft, i cili ka investuar miliarda në OpenAI që nga viti 2019.
Investimi i Nvidia vjen disa ditë pasi ajo i dha 5 miliardë dollarë prodhuesit të çipave Intel, i cili po përballet me vështirësi.