“Financial Times” rendit Mira Muratin në mesin e 25 grave më me influencë të vitit 2023

“Financial Times” rendit Mira Muratin në mesin e 25 grave më me influencë të vitit 2023

Auto&Tech November 30, 2023 - 23:35

Ndikimi – fuqia për të bindur, për të mbrojtur ndryshimin dhe për të imagjinuar mënyra më të mira për të bërë gjërat – merr shumë forma.

Askund nuk është më e qartë kjo se sa në numrin e përvitshëm të revistës Financial Times, gjegjësisht të listës së grave më me ndikim në botë të shkruar nga gratë e tjera të fuqishme në skenën ndërkombëtare.

Image

Revista e ka renditur në mesin e 25 grave më me ndikim në botë edhe shqiptaren Mira Murati.

Kjo e fundit është shefe e teknologjisë së OpenAI dhe gjendet në krye të transformimit të thellë digjital të këtij momenti.

E lindur në Shqipëri, Mira tani jeton në epiqendrën e evolucionit të shpejtë të inteligjencës artificiale, transmeton Telegrafi.

Produktet novatore të OpenAI, ChatGPT dhe Dall-E, kanë rrëmbyer imagjinatën e botës dhe do të ndryshojnë rrënjësisht mënyrën se si ne punojmë, mësojmë dhe shprehemi në mënyrë krijuese, shkruan më tutje gazeta.

Udhëheqja vizionare e Miras shtrihet shumë përtej shkencës dhe kërkimit të modeleve të mëdha gjuhësore në dizajnimin se si të inkorporojmë Inteligjencën Artificiale (AI) në jetën tonë të përditshme.

Si një gjë e rrallë – një grua që drejton një kompani teknologjike – historia dhe lidershipi i Mira-s janë po aq frymëzues sa teknologjia që përcakton të ardhmen që ajo mbikëqyr, vlerëson gazeta.

Ndryshe, Mira për disa ditë ishte CEO e OpenAI pas rikthimit në krye të kësaj kompanie të Sam Altmanit, i cili ishte shkarkuar nga bordi drejtues.