Platforma shkencore “Scopus” e njeh Kosovën
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se një ndër platformat më të rëndësishme shkencore “Scopus” ka njohur shtetin e Kosovës.
Sipas saj, për këtë MASHTI kishte marrë disa masa, në mënyrë që të matet potenciali hulumtues në vend, raporton Zeri.info.
“Kjo është edhe një mundësi që të masim potencialin hulumtues në vend dhe do të na ndihmojë si shtet që të bëjmë politika të bazuara në të dhëna, sepse ato mund t’i marrim nga Platforma.
Kjo është mundësuar falë përkushtimit të zyrtarëve të MASHTI-t dhe ndihmës së madhe të partnerëve zhvillimorë. I falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë drejtim, në veçanti Programin Fulbright dhe dr. Jaimie Rubin, e cila do të vijë të punojë me ne në MASHTI në mars të vitit 2023”, thuhet në njoftim.
Nagavci këtë e ka quajtur si një sukses për Kosovën, ndërsa është shprehur e lumtur për mbështetjen që Ministria po ua ofron programeve mbështetëse. /Zëri