Vetura Renault Megane E-Tech tani është vetura më e popullarizuar e Francës me 100,000 vetura të shitura brenda vitit
Renault arrin sukses me veturën e saj të re kompakte dhe tërësisht elektrike Megane E-Tech, e cila muajin e kaluar doli e para me shitjet e veturave elektrike në Francë, ku në tre muajt e fundit kanë arritur që të shesin 25,000 njësi. Kjo do të thotë se ata kanë arritur shkallën e shitjes të 100,000 veturave në vit – por a munden ata ta kalojnë Modelin 3 të Tesla këtë vit?
Duke u mbështetur pas një kampanje të marketingut, Megane E-Tech, së bashku me Dacia Spring, kanë arritur shifra të mira të shitjes në një vend ku numri total i regjistrimeve të veturave të reja ka rënë, përveç edhe një krize automobilistike me shifra ende jashtëzakonisht të ulta në krahasim me nivelet e periudhës së para pandemisë.
Teksa Modeli 3 i Tesla e ka mbajtur vendin e parë në Francë për vitin 2021, kompania deri në fund të prillit të vitit 2022 ka shitur rreth 6,660 vetura, duke mos pasur shumë regjistrime të reja në disa prej muajve të fundit. Shitësit tjerë kryesorë të veturave elektrike janë Fiat me modelin Fiat 500 dhe Peugeot me modelin e saj e-208.
Electrek raporton se në një intervistë me Le Journal de Dimanche, drejtori ekzekutiv i Renault, Luca de Meo, tha se suksesi i Megane E-Tech po e vendos kompaninë në “drejtimin e duhur”. Ai gjithashtu bëri të ditur se kompania po ndryshon metodat e saj në përballje me realitetin ekonomik dhe po synon që të ofrojë vetura të reja por me çmime më të larta.
Renault është përpjekur që të rikthehet nga kriza globale e automobilave dhe nga humbja e madhe historike prej 8 miliardë eurove në vitin 2020, teksa në gjysmën e parë të këtij viti kompania ka shënuar humbje neto.
Prodhuesit e veturave sikurse Renault po përballen me një treg të vështirë evropian me inflacionin në ngritje dhe mungesë të gjysmëpërçuesve, një treg i cili është i pamundur të kontrollohet, duke e bërë “ekuacionin” e veturave elektrike një problem sfidues thotë ndër të tjera de Meo.
“Në Evropë do të bëhet demokratizimi i veturave elektrike dhe do të përfshijë produkte në çmime të përballueshme. Ne kemi punuar mbi veturat elektrike për 12 vite tani dhe po krijojmë kushtet që marka Renault deri në vitin 2030 të jetë 100 për qind elektrike. Për momentin 40 për qindëshi i kostos totale të makinës qëndron tek bateria. Nga ai 40 për qindësh, 80 për qindëshi i kostos shkon tek lënda e parë. Dhe ne nuk e kontrollojmë 90 për qindëshin e lëndës së parë. Pikërisht kjo e bënë ekuacionin të vështirë. Suksesi i tanishëm i veturës elektrike Megane E-Tech me 25,000 njësi të shitura në tre muaj, tregon se ne jemi në drejtimin e duhur. Puna ime është që ta drejtojë Renault-in drejt së ardhmes, dhe e ardhmja e Evropës është elektrike” deklaroi de Meo.
Renault e shikon vitin 2030 si vit ku ata do të jenë markë tërësisht elektrike, dhe planifikon që të lansojë 11 modele të veturave elektrike nga tani e deri në vitin 2026, të cilat do të përfshijnë edhe modelin Alpine.
“Ato do të jenë më të shtrenjta në çmimin e blerjes për shkak se kanë kosto të lartë të prodhimit, por nuk do të jenë të domosdoshme për përdorim në jetën e përditshme. Të prodhosh shumë vetura dhe t’i shesësh ato me zbritje është keqkuptim i madh” shtoi ai, duke vënë në dukje se kompania ka ndryshuar filozofinë e saj për t’i dhënë përparësi vlerës mbi vëllimin.
Në vitin 2025, marka franceze synon që të ketë një linjë prej shtatë modeleve të veturave tërësisht elektrike, me kthimin e R5 dhe 4L në një version të ri me zero emetime.
Megjithatë, në Francë, Megane E-Tech dhe Spring përbëjnë vetëm 6.75% të shitjeve të Renault, krahasuar me 33% për shitjet e kombinuara të Clio dhe Sandero, modelet më të shitura të grupit. Po veturat e tjera tërësisht elektrike nga Renault? Modeli i popullarizuar Zoe shiti 9,000 vetura deri më tani këtë vit, dhe versioni tërësisht elektrik i Twingo shiti 8,600 njësi.