Edhe Nokia largohet nga Rusia

Edhe Nokia largohet nga Rusia

Auto&Tech April 12, 2022 - 11:45

Gjiganti teknologjik Nokia ka njoftuar se do të largohet nga Rusia, në kuadër të valës së kompanive të huaja që janë duke u larguar nga ky shtet, pas vendimit të Perëndimit për të sanksionuar Moskën për sulmin e saj të paprovokuar në Ukrainë.

Shefi ekzekutiv i kompanisë finlandeze, ka thënë për agjencinë e lajmeve Reuters se vendimi për të pezulluar pa afat këto operacione ka qenë mundësia e vetme.

“Ne thjesht nuk shohim mundësi për të vazhduar punën në këtë shtet, në situatën aktuale”, është cituar të ketë thënë Pekka Lundmark më 12 prill.

Ai ka thënë se vendimi për t’u larguar do t’i prekë 2,000 punëtorë, ndonëse disa prej tyre do të kenë oferta për të punuar në vende tjera ku ka zyrat Nokia.

Qindra kompani të huaja janë larguar nga Rusia pas nisjes së luftës në Ukrainë më 24 shkurt.

Banka Botërore ka thënë se ekonomia e Rusisë mund të tkurret për 11 për qind, derisa në parashikime tjera përmendet edhe shifra 20 për qind.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian janë duke diskutuar nëse do të vendosin embargo në eksportet ruse të naftës.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania tashmë kanë vënë ndalesë në naftën ruse, me qëllim të rritjes së presionit ekonomik mbi Moskën./rel