Amazon shënon rekord shitjesh në çerekun e katërt të 2020-ës

Amazon shënon rekord shitjesh në çerekun e katërt të 2020-ës

Auto&Tech February 03, 2021 - 20:56

Kompania e njohur amerikane, Amazon, në çerekun e katërt të vitit të kaluar për herë të parë e kaloi shifrën prej 100 miliardë dollarësh në shitje, sipas të dhënave financiare të publikuara të martën.

Gjiganti i tregtisë përmes internetit tha se shitjet në çerekun e katërt të vitit 2020 u rritën për 43.7 për qind dhe shkuan në 125.6 miliardë dollarë, në krahasim me 87.4 miliardë dollarë për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Shitjet gjatë tërë vitit 2020 u rritën për 37.6 për qind dhe shkuan në 386 miliardë dollarë, nga 280.5 miliardë dollarë në vitin 2019, shkruan Anadolu, transmeton Gazeta Express.

Përderisa të hyrat neto u rritën për 118 për qind dhe shkuan në 7.2 miliardë nga tetori deri në dhjetor të vitit të kaluar, shuma e përgjithshme e fitimit për vitin 2020 ishte 21.3 miliardë dollarë, gati dyfish më shumë se në vitin 2019, kur fitimi ishte 11.6 miliardë dollarë.

Ndryshe, shefi ekzekutiv i kësaj kompania, Jeff Bezos, që është personi i dytë më i pasur në botë, njoftoi të martën se do të largohet nga posti dhe do të bëhet shef ekzekutiv i Bordit të Amazon-it për t’u përqendruar në projekte të tjera.

Miliona njerëz në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën kanë filluar të bëjnë blerje përmes internetit që nga marsi i vitit të kaluar për shkak të masave të izolimit dhe mbylljes së dyqaneve.