Bllokimi i Trumpit ul vlerën e “Twitter”-it dhe “Facebook”-ut për 51 miliardë dollarë

Bllokimi i Trumpit ul vlerën e “Twitter”-it dhe “Facebook”-ut për 51 miliardë dollarë

Auto&Tech January 14, 2021 - 18:47

Gjigantët e mediave sociale, “Facebook” dhe “Twitter”, bashkërisht kanë humbur vlerën në treg prej 51.2 miliardë dollarësh gjatë dy sesioneve të fundit tregtare që kur bllokuan presidentin amerikan Donald Trump nga platformat e tyre pas trazirave në Kapitol.

Kompani të mëdha teknologjike dhe një numër i figurave politike Demokrate kanë thënë se Trumpi ka nxitur dhunën në Kapitol javën e kaluar. Incidenti shkaktoi debate si në Dhomën e Përfaqësuesve ashtu edhe në Senat pasi ligjvënësit u detyruan të strehoheshin derisa policia dhe forcat e sigurisë tentuan të rimarrin kontrollin, transmeton Zeri.info.

Trump doli me një video në “Twitter” pas ngjarjeve të dhunshme për t’u bërë thirrje protestuesve “të shkojnë në shtëpi në paqe”. Ai e denoncoi dhunën si një “sulm të neveritshëm” që “ndoti selinë e demokracisë amerikane” më 7 janar. Është e paqartë se kush nxiti hyrjen me dhunë në ndërtesë.

Javën e kaluar, “Twitter” fillimisht vendosi restrikcione në videon e Trumpit, para se të suspendonte përkohësisht llogarinë e tij, një veprim ky i ndjekur menjëherë edhe nga “Facebook”-u. “Twitter”-i dy ditë më vonë ia suspendoi përjetësisht llogarinë Trumpit për shkak të dy postimeve që “Twitter”-i i cilësoi si shkelje të politikave të veta.

Edhe një numër i madh i llogarive pro-Trump u fshinë nga “Twitter”-i dhe “Facebook”-u.

E derisa përdoruesit mësynë aplikacionin “Parler” dhe ueb-faqe tjera të mediave sociale, Shërbimi për Web i “Amazon”-it suspendoi shërbimet e veta me “Parler”-in të hënën në mëngjes, duke nxitur kështu një padi nga kompania vetëm pak orë më pas.

Më së fundi, edhe “Youtube” e “Google”-it hoqi përmbajtjen e re nga llogaria e Trumpit dhe suspendoi kanalin e tij për së paku një javë, duke thënë se kanali ka shkelur politikat e saj për “nxitje të dhunës”.

“Pas rishikimit të kujdesshëm, dhe në dritë të brengave për potencialin e vazhdueshëm për dhunë, kemi hequr përmbajtjen e re të ngarkuar në kanalin ‘Donald J. Trump’ dhe kemi paraqitur ankesë për shkelje të politikave tona për nxitje të dhunës”, tha një zëdhënës i “YouTube”-it përmes një deklarate për “The Epoch Times”.

“Si pasojë, në pajtim me sistemin tonë për ankesa, kanali tani e ka të pamundur të ngarkojë video të reja apo të bëjë video-transmetime direkte për së paku 1 javë – e cila mund të zgjatet. Po ashtu i kemi pezulluar për një kohë të pacaktuar komentet e videove në kanal”.

“Google” nuk bëri ndonjë koment tjetër kur u pyet se cila përmbajtje e kanalit të Trumpit kishte shkelur politikat e saja. Presidenti ka thënë se kompanitë si “Google”, “Twitter” dhe “Facebook” do të dështojnë si pasojë e censurës. /Zëri