“Passat”-i i ri B9: Më i madh, më i bukur dhe më praktik

“Passat”-i i ri B9: Më i madh, më i bukur dhe më praktik

Auto&Tech August 24, 2020 - 12:22

Gjenerata e re e “Passat”-it do të jetë e unifikuar, që do të thotë se do të jetë vetura e njëjtë në mbarë botën.

Pasi ka shitur mbi 30 milionë njësi, “Volkswagen”-i me krenari deklaron se “Passat”-i është sedani mesatar më i shitur ndonjëherë. Aktualisht “Passat”-i prodhohet në tri kontinente në 10 fabrika për mbi 100 tregje dhe është vetura më e famshme e kompanisë pas “Golf”-it mbizotërues. Edhe pse emri “Passat” përdoret në mbarë botën, versioni evropian është shumë më i sofistikuar sesa kushëriri i tij amerikan.

Por kjo do të ndryshojë me modelin e gjeneratës së re, siç ka mësuar “Autocar”. “Passati” i ri do të jetë me platformë të re MQB në mbarë botën. Versioni me specifika evropiane nuk do të prodhohet teknikisht nga VW-ja pasi fabrika në Emden në Gjermani do të mbyllet, transmeton “Zeri.info”.

Në një njoftim të nëntorit të vitit 2018 u tha se “Passat”-i i ri do të ndërtohet nga “Skoda” bashkë me modelin simotër “Superb” në fabrikën Kvasiny në Republikën Çeke.

Ndonëse krerëve të VW-së u kishte shkuar mendja që ta përfundojnë në tërësi modelin “Passat”, megjithatë ata vendosën që ta mbajnë të gjallë. “Passat”-i ka 36 vjet që ka nisur të prodhohet dhe shitja e tij nuk është ndalur. Modeli i gjeneratës së re thuhet se do të jetë më i madh për të pasur hapësirë superiore për këmbët.

Puna për modelin e ri do të përqendrohet në pjesën e brendshme të tij më shumë sesa për dukjen nga jashtë. Kjo pasi roli për dukjen vizuale të “Passat”-it do t’i besohet sërish “Arteon”-it.

“Autocar” thotë se “Passat B9” do të vazhdojë të ofrohet në versionet e deritanishme.

Por modeli standard ende nuk dihet se a do të vazhdojë të mbetet ai sedani tradicional ose do të shndërrohet në një “Superb” ose “Arteon”. Megjithatë, raportohet se dizajni veçse ka përfunduar, ndërsa platforma e re MQB do të ofrojë mbështetje më të madhe për elektrifikim, duke përfshirë edhe një veturë krejtësisht elektrike.

Raporti thekson se VW planifikon që “Passat”-in e ri ta hedhë në tregun britanik më 2023-n, që përkon me lansimin e modelit evropian. Por për tregun e Amerikës Veriore dhe tregjet tjera nuk ka informata se a do të lansohet në atë kohë ose do t’u duhet të presin më gjatë. /Zëri

Image