Infektuar: 14939
Shëruar: 12325
Vdekur: 611
“Facebook”-u heq reklamat e Trumpit për shkelje të politikës kundër urrejtjes

“Facebook”-u heq reklamat e Trumpit për shkelje të politikës kundër urrejtjes

Auto&Tech June 19, 2020 - 11:52

"Facebook"-u tha se ka ndërmarrë veprime kundër reklamave të drejtuara nga fushata e rizgjedhjes së presidentit Donald Trump për shkeljen e politikave të kompanisë për urrejtjen.

Reklamat, të cilat sulmonin atë që kampanja e Trumpit e përshkruante si “grup të rrezikshëm të së majtës ekstreme”, paraqisnin një trekëndësh me kokë teposhtë.

Lidhja Anti-Shpifje tha të enjten se trekëndëshi “është praktikisht identik me atë të përdorur nga regjimi nazist për të klasifikuar të burgosurit politikë në kampe përqendrimi”.

“Ne i hoqëm këto postime dhe reklama për shkeljen e politikës sonë kundër urrejtjes së organizuar. Politika jonë ndalon përdorimin e një simboli të ndaluar të një grupi të urrejtjes për të identifikuar të burgosurit politikë pa kontekstin që dënon ose diskuton simbolin”, tha Andy Stone, një zëdhënës i Facebookut, për “CNN Business”.

Grupi i urrejtjes, të cilit po i referohej "Facebook"-u në deklaratën e tij janë nazistët, konfirmoi kompania.

Reklamat kishin si synim grupin e ekstremit të majtë “Antifa”, duke u bërë thirrje mbështetësve të Trumpit që të mbështesin thirrjet e presidentit për ta cilësuar grupin si një organizatë terroriste, transmeton "Zeri.info".

Duke iu përgjigjur kritikave për reklamën e së enjtes, fushata e Trumpit pretendoi se trekëndëshi i kuq ishte “një simbol i përdorur gjerësisht nga Antifa”.

Fushata e drejtoi “CNN Business” në disa faqe të internetit që prodhojnë afishe, letra ngjitëse dhe magnete, që shesin mallra jozyrtare të dizajnuara nga përdoruesit e tyre që përmbajnë simbolin. Fushata nuk kishte përmendur asnjë shembull ku aktivistët e Antifa-s kishin veshur këtë simbol.

Lidhja Anti-Shpifje (ADL) tha të enjten se disa aktivistë te Antifa-s kanë përdorur simbolin, por nuk është veçanërisht e zakonshme.

Sipas bibliotekës së reklamave politike të Facebookut, një grup reklamash që përmbanin simbolin ofendues filluan të shfaqeshin prej të mërkurës në faqen kryesore të kampanjës së Trumpit në Facebook, “Team Trump”, dhe faqen e Zëvendëspresidentit Mike Pence.

Sipas të dhënave nga Facebook, reklama e paguar është parë pothuajse një milion herë në ballinat e përdoruesve të saj vetëm nga faqja e Trumpit.

Në një deklaratë, Tim Murtaugh, drejtori i komunikimeve për fushatën e Trumpit, këmbënguli se trekëndëshi i kuq është një “simbol i përdorur nga Antifa”.

“Ne do të theksonim se edhe Facebooku ka një ‘emoji’ të një trekëndëshi të kuq të përmbysur në përdorim, i cili duket saktësisht i njëjtë, kështu që është e çuditshme që ata e prekën vetëm këtë reklamë”.

“Imazhi gjithashtu nuk është përfshirë në bazën e të dhënave të Ligës Anti-Shpifje për simbolet e urrejtjes”, tha ai.

Duke u përgjigjur në vetëmbrojtje, ADL theksoi se baza e saj e të dhënave nuk është një databazë e simboleve historike naziste, por e simboleve që zakonisht përdoren nga ekstremistët modernë në SHBA.

Heqja e reklamave të Trumpit nga Facebooku mund të përshkallëzojë tensionet midis Shtëpisë së Bardhë dhe Silicon Valleyt.

Drejtori i Përgjithshëm i Facebookut, Mark Zuckerberg, u kritikua muajin e kaluar që nuk ka ndërmarrë veprime në një postim të Trumpit që tha se “grabitja” çon në “të shtëna”, mes trazirave racore në të gjithë vendin. Twitteri, postimin e njëjtë e cilësoi si lavdërues të dhunës.

Image