S20 dhe Fold 2, Samsung prezanton modelet e reja me 11 shkurt

S20 dhe Fold 2, Samsung prezanton modelet e reja me 11 shkurt

Auto&Tech January 07, 2020 - 12:35

Samsungu ka konfirmuar zyrtarisht datën e prezantimit të Galaxy S20 dhe Fold 2, telefonit të ri të palosshëm. Modelet e reja do të prezantohen kështu në San Francisco më 11 shkurt të këtij viti.

Në fakt, ky i radhës duhet të ishte për Samsungun Galaxy S11, por sipas gjasave ai do të debutojë si Galaxy S20. Samsung duket se ka vendosur të kapërcejë disa numra për të kaluar tek S20, në nder të dekadës së re.

Sipas zërave, në total do të prezantohen tre telefona, Galaxy S20, Galaxy S20+ dhe Galaxy S20 Ultra. Se si do të duken këta telefonë të ri ende nuk dihet saktësisht pavarësisht se disa detaje janë dhënë. Ajo që garantohet nga kompania është fakti se specifikimet e reja, do të entuziazmojnë fansat, përcjell Top Channel.

Një kamer kryesore 108 megapixel, lente 48 megapixel me OIS dhe një modul kamere në stil periskopi me zoom optik do të befasojnë për sa i takon pjesës së imazheve. Kamera madje mund të përfshijë edhe videoty 8K, panoramë vertikale etj.

Modeli bazë do të vijë me një ekran 6.2 inch ndërsa ai pasues S20+ me ekran 6.7 inch. Për modelin më të madh, atë që mendohet se do të jetë S20 Ultra, spekulohet se do të ketë një ekran masiv 6.9 inch.