Punëtorët e Amazon-it në Gjermani nisin grevën në të

Punëtorët e Amazon-it në Gjermani nisin grevën në të "Premten e Zezë"

Auto&Tech November 29, 2019 - 13:15
detajet

Qindra punëtorë të kompanisë Amazon në Gjermani kanë nisur grevën të premten teksa gjiganti amerikan ka nisur shitjet e të “Premtes së Zezë”, organizim në të cilin shumë dyqane shesin produktet e tyre me zbritje.

Punëtorët janë duke kërkuar rroga më të mëdha dhe kushte më të mira të punës.

Greva është organizuar nga sindikata Verdi dhe pritet të zgjasë deri të martën, duke përfshirë edhe “Ditën e Kibernetikës” që do të jetë të hënën, në të cilën kompania Amazon bën zbritje për disa produkte.

Zëdhënësja e sindikatës Verdi, Eva Voelpel, i ka thënë agjencisë së lajmeve, AFP se “qindra punëtorë” kanë nisur grevën në disa pika të shpërndarjes së Amazonit në Gjermani: Leipzig, Bad Hersfeld, Koblenz, Rheinberg, Werne dhe Graben.

Kjo sindikatë ka akuzuar Amazonin se është duke mbajtur punëtorët “nën stres të jashtëzakonshëm”.

Kompania Amazon në anën tjetër ka thënë se greva nuk do të ketë ndikim dhe se pakot me porosi “do të arrijnë në kohë”.

Kjo kompani është përballur disa herë me greva të punëtorëve në Gjermani dhe vende tjera në vitet e fundit.

Organizimi i të “Premtes së Zezë” vitin e kaluar ka gjetur kompaninë Amazon me greva të punëtorëve në Spanjë, Gjermani dhe Britani.