Aeroplani më i madh në botë bën fluturimin e parë

Aeroplani më i madh në botë bën fluturimin e parë

Auto&Tech April 14, 2019 - 09:28
DETAJET

Aeroplani më i madh në botë u ngrit në qiell mbi shkretëtirën e Mojaves në Kaliforni. Ky është fluturimi i parë i aeroplanit të ndërtuar me karbon nga kompania “Stratolaunch Systems Corp”.

Aeroplani i bardhë, i quajtur “Roc”, gjerësia e krahëve të të cilit është sa një fushë e futbollit amerikan, i ka gjashtë motorë. Ai e filloi fluturimin në orën 7 të mëngjesit sipas kohës lokale të Oqeanit Paqësor. Ky aeroplan qëndroi në ajër për më shumë se dy orë, ndërsa ulja e tij në pistë u prit me duartrokitjet e shumë njerëzve.

“Çfarë fluturimi fantastik. Fluturimi i sotëm e çon përpara misionin tonë për ofrimin e një alternative fleksibile. Jemi tepër krenarë për ekipin e kompanisë sonë, ekuipazhin e fluturimit të sotëm, partnerët tanë dhe pistën që u përdor sot”, tha shefi i kompanisë “Stratolaunch”, Jean Floyd, transmeton Expres.

Ky aeroplan mund të hedhë raketa dhe mund të bartë mjete tjera fluturimi që peshojnë deri 226 mijë kilogramë në lartësi prej 10,600 metrash. Fluturimi i së shtunës u bë me qëllim të testimit të performancës dhe drejtimit të aeroplanit. Kompania njoftoi se aeroplani gjatë këtij fluturimi e arriti shpejtësinë maksimale prej 304 kilometrash në orë në lartësi prej 5180 metrash nga toka.

Kompania planifikon që në të ardhmen ta zgjerojë tregun e këtyre aeroplanëve, të cilët do të përdoren për dërgimin e satelitëve në hapësirë. Në këtë mënyrë, ata do t’iu bënin konkurrencë kompanive tjera që e kryejnë këtë punë, shkruan “Reuters”