Volkswageni tërheq nga tregu 75 mijë vetura shkaku i problemeve me rripin e sigurisë

Volkswageni tërheq nga tregu 75 mijë vetura shkaku i problemeve me rripin e sigurisë

Auto&Tech nëntor 24, 2018 - 09:10
Lexo tjera detaje

Prodhuesi më i madh gjerman dhe një ndër prodhuesit kryesorë të veturave në botë, Volkswagen Group, do t’i tërheqë nga tregu rreth 75 mijë vetura të modeleve VW Polo, Seat Ibiza dhe Seat Arona, pasi një revistë finlandeze e veturave zbuloi se këto vetura kanë probleme me rripin e sigurisë.

Kompania ka deklaruar se veturat do t’i nënshtrohen një rregullimi dhe të gjithë pronarët që tashmë i kanë blerë ato, mund t’i dërgojnë në pikat e autorizuara të shitjes, për t’i marrë më pas pa kosto shtesë. Testi i vozitjes në Finlandë tregoi se kur tre udhëtarë janë të ulur në ulëset e pasme të veturës dhe kur vetura kthehet në kthesa të ashpra, rripi i sigurisë në ulësen e mesme nuk funksionon dhe nuk shtrëngohet.

Zyrtarët e prodhuesit gjerman thanë se këto teste paraqesin rast të izoluar dhe se ky problem nuk është raportuar në veturat tjera. Sifoqoftë, një grup klientësh kanë pyetur se pse kompania tashmë ka shitur rreth 55 mijë vetura të tilla që nga muaji maj, atëherë kur ky problem ishte identifikuar.

Udhëheqësi i grupit të kilentëve, Alex Neill, tha se vendimi për të mos i ndërprerë shitjet edhe pas identifikimit të problemit, tash i ka vënë në rrezik shumë vozitës dhe udhëtarë. Sidoqoftë, nuk është raportuar për të lënduar nga ky problem i veturave deri tash. Selia e kompanisë në Britani të madhe ka garantuar se pronarët e prekur nga ky problem mund t’i dërgojnë veturat e tyre për t’u rregulluar në pikat më të afërta të shitjes, shkruan “The Guardian”.