Rruga Prishtinë - Fushë Kosovë, 200 ditë kolona (FOTO+VIDEO)
Zhvillimi i punimeve në rrugën Prishtinë - Fushë Kosovë, në këtë kohë kur konsiderohet si sezoni i mërgimtarëve, ka shpeshtuar kolonat nëpër kryeqytet dhe në hyrje të tij.
Ditëve të fundit janë krijuar kolona të gjata në këtë rrugë. Kjo ka ndodhur si pasojë e nisjes së punimeve në zgjerimin e rrugës në të dyja korsitë.
Punimet kanë shkaktuar kolona të shumta e madje pritjet, sidomos në orët e paradites dhe të pasdite, kalojnë më shumë se 30 minuta.
Lidhur me këtë zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës thonë se sezoni i ndërtimit dhe rindërtimit të rrugëve publike fillon në muajin prill dhe kjo në vartësi të kushteve atmosferike varion nga data një prill e derisa këto kushte janë të favorshme për ekzekutim të punimeve.
“Sezoni i ndërtimit dhe i rindërtimit të rrugëve publike fillon në muajin prill dhe kjo në vartësi të kushteve atmosferike varion nga dt. 01 prill e derisa këto kushte janë të favorshme për ekzekutim të punimeve. Është e kuptueshme se në sezonin e dimrit përgjithësisht, por edhe në sezone të tjera me kushte të rënduara të motit pra të reshjeve të mëdha, punët në ndërtim-rindërtimin e rrugëve nuk mund të zhvillohen. Në bazë të planit dinamik prej 200 ditësh për kryerjen e punimeve në rrugën Prishtinë - Fushë Kosovë dhe sezonin e cekur më lart kur këto punime nuk mund të zhvillohen, atëherë logjikshëm rrjedh konkluzioni se në asnjë kohë nuk mund të tejkalohet pa u prekur periudha e ardhjes dhe qëndrimit të mërgimtarëve tanë në Republikën e Kosovës”.
Në anën tjetër Arben Dobra, menaxheri i punimeve në projektin “Rikonstruimi dhe rehabilitimi i rrugës nacionale 9 Prishtinë- Fushë Kosovë”, ka thënë se një prej sfidave është menaxhimi i trafikut, pasi qarkullimi i automjeteve është i madh.
Ai ka thënë se fillimi i punimeve në këtë sezon nuk është në kompetencat e kompanisë, por të Ministrisë së Infrastrukturës, pasi detyrë e tyre është vetëm realizimi i projektit.
“ Një prej sfidave kryesore në këtë rruga, pasi që qarkullimi i automjeteve është i madh, dihet se është menaxhimi i trafikut. Jemi duke bërë përpjekje maksimale që t’i zhvillojmë punimet në dinamik sa më të shpejtë, jemi duke punuar me dy ndërrime në mënyrë që sa më shpejt të realizohen punimet dhe të pengohen sa më pak bizneset dhe trafiku që bëhet në këtë pjesë. Këto janë proceduar të Ministrisë, në jemi kryes të punimeve, ajo që na takon neve është realizimi i këtij projekti prej kohës kur ka filluar kontrata deri në afatin e paraparë ose më herët”, ka thënë Dobra.
Sipas tij, dinamika e punëve është duke shkuar shumë mirë dhe se presin që punimet të përfundojnë brenda afatit, e ndoshta edhe më herët.
“Dinamika e punëve është duke shkuar shumë mirë, pavarësisht temperaturave të larta punimet po vazhdojnë në një dinamikë më të shpejtë sesa është paraparë. Realizimi i projektit parashihet të zgjasë diku 200 ditë pune, shpresojmë që me këtë dinamikë të arrijmë t’i përfundojmë me kohë”, deklaroi ai.
Ndryshe, gjatësia e këtij segmenti është 2950 metra, nga hyrja e Prishtinës deri te rrethrrotullimi në Fushë Kosovë. Rruga do t’i ketë tri korsi në shkuarje dhe tri në ardhje dhe do të kushtojë 633, 761.67 euro.