“Qemal Stafa” humbet pjesët historike, stadiumi drejt “zhdukjes”
Në një kohë që Kombëtarja Shqiptare po punon për të bërë një paraqitje sa më pozitive në Francë ku do të sfidojë vendin organizator për ndeshjen e dytë të grupit A, në Tiranë shtepia e vjetër e kuqezinjve po humbet pjesët një nga një për t’i lënë vend stadiumit të ri. Stadiumi “Qemal Stafa” po shkrihet dalëngadalë në mes të kryeqytetit pasi prej ditësh kanë nisur punimet për shkatërrimin e plotë që do t’i ndezë dritën jeshile projektit të “Arenës Kombëtare”.
Supersport ka ndjekur nga afër nisjen e punës për rrëzizimin e plotë të stadiumit legjendar. Punimet po vazhdojnë me ritëm të shpejtë pasi brenda pak ditësh është prishur një pjesë e madhe e stadiumit ku Shqipëria ka luajtur disa nga ndeshjet më historike. Ne vitin 1939 “Qemal Stafa” u ideua nga arkitekti italian, Gerardo Bozio nisi te ndertohej dhe përurimi u finalizua në vitin 1946. Pjesët e tribunave anësore janë rrëzuar pothuajse plotësisht, ndërsa me të njëjtin ritëm po vazhdohet edhe në sektorët e tjerë. Pas disa ditësh, “Qemal Stafa” nuk do të ekzistojë më si strukturë pasi projekti do të vazhdojë me fazën e dytë, hapjen e themeleve për ndërtimin e “Arenës Kombëtare”, një projekt prezantuar nga Qeveria Shqiptare dhe Federata Shqiptare e Futbollit. Kompleksi i ri do të jetë konform të gjitha standarteve të UEFA-s dhe me një kapacitet prej 22 mijë vendesh./SuperSport.al/