Hetim i veçantë për Azem Sylën

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-komandanti i UÇK-së, Azem Syla, dhe të dyshuarit tjerë që akuzohen për tjetërsim të pronave shoqërore kanë marrë pjesë të martën në seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore të Prishtinës për t’ia kumtuar atij dhe mbrojtjes procedurat gjyqësore që duhen ndjekur në vazhdim.

Në këtë seancë preliminare, të thirrur nga gjyqtarja e procedurës paraprake mbi një hetim të veçantë, ishte paraparë që të merren në pyetje dy dëshmitarët e mbrojtur, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ky hetim i veçantë do t’i ketë 23 seanca gjyqësore, ku do të merren në pyetje dy dëshmitarët e mbrojtur, të cilët mund të mos jenë të pranishëm në shqyrtimin kryesor dhe dëshmia e dhënë në këto seanca konsiderohet pastaj si e dhënë në seancat gjyqësore.

Avokati mbrojtës i Azem Sylës, Tomë Gashi, ka thënë se gjatë seancës ka qenë e paraparë të merren në pyetje dy dëshmitarë të mbrojtur, mirëpo marrja në pyetje e këtyre dëshmitarëve është paraparë që të ndodhë më 9 qershor nëpërmjet një videolinku.

“Kjo ka qenë seanca e ftuar nga gjyqtarja e seancës paraprake, ku ka qenë e paraparë të merren dëshmitarë në pyetje, gjë që nuk ka ndodhur sepse gjyqtarja na ka njoftuar vetëm me procedurën e ardhshme, sipas së cilave do të vazhdojë me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të mbrojtur përmes videolinkut. Për këtë hetim të veçantë janë caktuar 23 seanca, por marrja në pyetje përmes videolinkut do të jetë në këtë procedurë të veçantë hetimore, do të jetë vetëm për dy dëshmitarë”, ka thënë avokati Gashi.  

Ndërkaq Haxhi Millaku, avokat mbrojtës i Ilaz Sylës, i cili është njëri ndër 52 të dyshuarit në këtë rast, ka thënë se gjatë kësaj seance i ka kërkuar gjyqtares që atyre t’u jepen të gjitha materialet parapenale.

“Unë si avokat i Ilaz Sylës e kam paraqitur që me urdhëresë të posaçme gjyqtarja ta urdhërojë prokurorin të na japë të gjitha materialet parapenale sepse nuk do t’i lemë mundësi të kalkulimit apo nxjerrjes së provave të tjera që konsideroj se ekziston frika se mund të spekulohet me prova. Unë paraqita rëndësinë e këtij procesi edhe efektet jo vetëm në aspektin e drejtësisë dhe në aspektin juridik, por edhe rëndësinë politike që e ka ky rast sepse është i cilësuar si një rast i veçantë, i cili ka edhe efekte të tjera politike, diplomatike për Kosovën. Shqetësimi ynë si mbrojtës është që ky hetim të jetë i drejtë dhe i ligjshëm”, ka thënë Millaku.