Përplasjet për demarkacionin, ambasadat lëshojnë viza afatgjate

Shumë kosovarë vazhdojnë të qëndrojnë para dyerve të ambasadave të Bashkimit Evropian (BE) për t’u pajisur me viza Schengen, pavarësisht paralajmërimeve se heqja e vizave pritet të ndodhë shumë shpejt. Madje, disa qytetarë konfirmojnë për gazetën “Zëri” se së fundmi kanë marrë viza për periudha kohore prej 6 muajsh apo edhe një vit. “Para disa ditëve kam marrë vizë gjashtëmujore në njërën nga ambasadat e Bashkimit Evropian”, thotë një qytetar, i cili nuk dëshiron të flasë publikisht për “Zërin”. Kjo po bën që shumë qytetarë të dyshojnë në liberalizimin e vizave në një afat të shkurtër. Megjithatë, kur Kosova mori rekomandimin e shumëpritur pozitiv për liberalizimin e vizave, më 4 maj 2016, ai u dha me dy kushte. Ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe intensifikimin e shënimin e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. E edhe njëra, edhe tjetra po dalin të jenë problem për Qeverinë. Në veçanti ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, pavarësisht insistimit të Qeverisë se kjo do të bëhet shumë shpejt.
Këtë po e bën të “pamundur” opozita, e cila me tërë kapacitetin e saj po kundërshton ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, duke thënë se është një kusht i padrejtë i BE-së karshi Kosovës. Në këtë situatë rrjedhimisht lind edhe pyetja se a po rrezikohet procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën?! Jashtë qarqeve politike, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë jo. Megjithatë, nuk mohojnë urgjencën me të cilën duhet të trajtohet përmbyllja e procesit të demarkacionit me Malin e Zi.  

Demarkacioni duhet të ratifikohet deri në korrik

Qeveria nuk pret që liberalizimi i vizave të vonohet shumë. E madje as procesi të zgjasë deri në fund të vitit. Për këtë arsye zyrtarët qeveritarë thonë se ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit, si një ndër çështjet kryesore që duhet plotësuar para liberalizimit, të shkojë sa më parë në Kuvend.

Zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, i ka thënë “Zërit” se Kosova nuk ka shumë kohë për të humbur në këtë drejtim. “Partnerët e koalicionit do të vendosin se kur do të shkojë në Kuvend ratifikimi i Demarkacionit, por, megjithatë, shpresoj që nuk do të shkojë vonë sepse e dini që kjo është shumë e rëndësishme dhe e kemi si kusht për liberalizimin e vizave dhe nuk kemi shumë kohë për të humbur”, ka thënë Gecaj.
Ai ka injoruar kundërshtimin e opozitës rreth kësaj marrëveshjeje duke thënë se është vetëm në vazhdën e kundërshtimeve që ata kanë bërë ndaj çdo marrëveshje tjetër. “Çdo marrëveshje që ka bërë Qeveria ata i kanë kundërshtuar sepse ekziston një politikë jo e mirë e tyre. Është me rëndësi që Komisioni Shtetëror i Demarkacionit t’i bindë deputetët e Parlamentit se kjo marrëveshje është siç duhet. Nëse kjo ndodh, atëherë do ta kemi ratifikimin ku do të jenë edhe votat dhe ne do të ecim përpara”, ka thënë Gecaj, duke ftuar edhe opozitën që të hyjë në Parlament nëse dëshiron për të diskutuar rreth kësaj çështjeje.
“Shikoni vendi për debat dhe diskutim është Parlamenti, kjo marrëveshje do të shkojë në Parlament. Ne opozitën e kemi ftuar për diskutim qe sa kohë, ata e kanë vendin në Kuvend, pra atje duhet të debatohet dhe jo nëpër medie dhe rrugë”, ka thënë ai. Ndërkohë në një linjë të deklaratave të Gecajt ka qenë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai dje tha se askush me asnjë agjendë ditore nuk mund të cenojë procesin e liberalizimit të vizave.

“Asnjë interes i adresave të caktuara politike nuk mund të tejkalojë interesin madhor, vullnetin e qytetarëve, qëllimin tonë e vizionin tonë evropian për liberalizim. Nuk ka çështje që do të mundë të sfidonte liberalizmin. Kosova i njeh obligimet e veta”, ka thënë presidenti Thaçi. Madje ai ka ftuar edhe të dy anët e skenës politike që ta përfundojnë sa më parë demarkacionin me Malin e Zi për interesin e qytetarëve të vendit.

 Çollaku: Demarkacioni duhet të ratifikohet deri në korrik

Ndërkohë shumë më specifik në data ka qenë ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku. Ai ka thënë se demarkacioni duhet të përfundojë më së largu deri në muajin korrik. Këto komente ministri Çollaku i bëri në një prononcim për gazetarët pas një ligjërate që ka mbajtur para studentëve të Kolegjit ISPE. “Nëse nuk ratifikohet, me siguri se kjo do t’i shërbejë si argument i madh shumë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe brenda Parlamentit të Bashkimit Evropian që të thonë se Kosova nuk i ka përmbushur kriteret dhe nuk mund ta marrë liberalizimin e vizave në këtë moment. Dhe kjo do ta shtynte këtë proces në një fazë krejt tjetër, e cila do të sillte me vete shumë të panjohura. Nuk është në interes të askujt që të rrezikohet liberalizimi i vizave. Ne jemi në kontakte të vazhdueshme me Komisionin Evropian dhe me Parlamentin e Bashkimit Evropian dhe kjo çështje patjetër duhet të ratifikohet më së largu deri nga muaji i fundit qershor apo fillimi i muajit korrik”, ka theksuar Çollaku.

 Opozita: Qeveria të tërhiqet nga marrëveshja aktuale

'Kushtëzimin” e liberalizimit të vizave me përmbylljen e demarkacionit me Malin e Zi nga ana e BE-së për Kosovën po e sheh si të padrejtë opozita kosovare. Pikërisht për këtë arsye ata kanë vendosur që të rezistojnë pasi që mendojnë se kjo marrëveshje cenon integritetin territorial të Kosovës.

 Donika Kadaj-Bujupi, nga Lëvizja “Vetëvendosje”, i ka thënë “Zërit” se një kërkesë e tillë nga BE-ja nuk i është bërë asnjërit nga vendet e rajonit. “Kërkesa që të ratifikohet demarkacioni me Malin e Zi para se të ndodhë liberalizimi i vizave është plotësisht e padrejtë. Një kërkesë e tillë nga BE-ja nuk i është vënë asnjërit nga vendet e rajonit. Madje edhe Mali i Zi e ka marrë liberalizimin e vizave pa e pasur kufirin të demarkuar me Kosovën. Në anën tjetër, nuk është vlerë evropiane që marrëdhëniet në mes të shteteve fqinje të zhvillohen në dëm të njërit nga këto shtete. Kosova me Marrëveshjen për Demarkacion i humb mbi 8000 hektarë”, ka thënë Kadaj-Bujupi.
Ndërkohë duke folur për gjetjen e një zgjidhjeje për këtë situatë, Kadaj-Bujupi ka thënë se para se të procedohet në këtë drejtim Qeveria duhet të tërhiqet nga marrëveshja aktuale.
“Fillimisht është e rëndësishme që Qeveria të tërhiqet nga Marrëveshja aktuale e Demarkacionit. Tek pastaj mund të flasim për mënyrën se si duhet të procedohet kjo çështje”, ka thënë ajo, duke pranuar që një komision i ri të formohet për të qartësuar këtë çështje. “Normalisht që demarkimi i kufijve të Republikës sonë duhet të bëhet nga ekspertët vendorë dhe ata politikanë që ia duan të mirën Kosovës. Nuk mund të ketë marrëveshje të drejta dhe të dobishme për vendin tonë nga njerëz që gjatë gjithë historisë së tyre politike kanë bërë kompromise në dëm të Republikës”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, përmes një komunikate për shtyp edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka propozuar një zgjidhje për demarkacionin me Malin e Zi. “Gatishmëria e palës malazeze për t’i përmirësuar gabimet eventuale e ka zhvlerësuar çdo insistim të presidentit dhe të kryeministrit se ky proces është i pastër. Prandaj, kërkojmë nga presidenti dhe kryeministri dhe gjithë vartësit e tyre që çështja e Demarkacionit të rihapet në Bruksel, në një rund bisedimesh me palën malazeze, në mënyrë që të mënjanohen gabimet e bëra dhe më pastaj Demarkacioni të ratifikohet në Kuvend”, thotë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

I heshtur rreth kësaj çështjeje dje nuk ka qenë as lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri. Ai i është kundërpërgjigjur presidentit Thaçi rreth deklaratave të tij se kjo çështje duhet të mbyllet sa më parë. “Për të procesi për liberalizim është bërë i përdorshëm për ta kontrabanduar ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi. Nuk ka ekzaltim të njëjtë në publik për kushtin tjetër që lidhet me intensifikimin e luftës kundër korrupsionit. Në të vërtetë këtë kusht Thaçi e ka bezdi. Prandaj flet vetëm për demarkacionin”, ka thënë Ymeri, duke përfunduar se për presidentin më me rëndësi është bërë ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacion, të cilën vetë e ka udhëhequr dhe e ka nënshkruar për të shpëtuar personalisht nga fakti që i ka falur mbi 8200 hektarë tokë të Kosovës se sa për qytetarët e vendit do të mundë të kenë lehtësira udhëtimi në zonën Shengen.

Ujkani: Kushti i BE-së nuk mund të negociohet

Meqenëse ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi ka mbetur një prej kushteve më të rëndësishëm për t’u plotësuar para procedimit për liberalizimin e vizave, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare në Kosovë thonë se kjo çështje duhet trajtuar shumë shpejt.

Madje Emrush Ujkani i ka thënë “Zërit’ se ky kusht i BE-së as nuk mund të negociohet, meqenëse është vënë si i tillë. “Përderisa BE-ja e ka vendosur si kusht, ne nuk kemi mundësi që ta negociojmë atë. Pra është kriter i vendosur dhe ne nuk guxojmë të kalkulojmë me faktet nëse dikush e ka pasur një kush të tillë apo jo. Është kriter që na është vendosur, është pozicion i BE-së dhe ne duhet të shohim mundësinë për ta adresuar sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Ujkani, i cili megjithatë shton se kjo nuk nënkupton që Kosova duhet të bëjë lëshime kundrejt territorit të saj. “Në të njëjtën kohë nuk besoj që i kontribuon kësaj çështjeje as bllokimi prej opozitës nga ana tjetër”, ka shtuar ai. Sidoqoftë, Ujkani ka thënë se përkundër oscilimeve beson që liberalizimi i vizave do të ndodhë brenda këtij viti, natyrisht pas adresimit të kushteve të mbetura. “Rreth asaj se a ka mundësi që liberalizimi të ndodhë këtë vit unë jam shumë i sigurt se po. Mirëpo, parakusht duhet të jetë plotësimi i këtyre kritereve e veçanërisht ky i demarkacionit që është një çështje të cilën nuk duhet ta neglizhojmë, por duhet t’i japim një zgjidhje sa më shpejt që është e mundur që Kosova ta dëshmojë veten edhe në këtë rast se nuk është vetëm një shtet i cili është ndihmuar për t’u ndërtuar, mirëpo edhe i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon”, ka përfunduar ai.