Lazim Destani merr pjesë në konferencën e nivelit të lartë në Berlin
Pronari i ‘Ecolog’, Lazim Destani mori pjesë në konferencën e nivelit të lartë të mbajtur në Berlin.
Hapjen e kësaj konference e bëri kryesuesi i OSBE-së, Frank-Walter Steinmeier.
Për detajet, ftesën dhe të gjitha aktivitetet e zhvilluara në kuadër të kësaj konference në të cilën mori pjesë Lazim Destani mund ta lexoni postimin e tij të plotë;
Me ftesë të Ministrit të punëve të jashtme të Gjermanisë dhe njëkohësisht udhëheqës i OSBE-së Frank-Walter Steinmeier mora pjesë në Konferencën dy-ditore (18-19 Maj) "Rrjetëzimi për Tregti dhe Investime" që u mbajt në Zyrën Federale të punëve të jashtme të Gjermanisë në Berlin. Në këtë takim morën pjesë mbi 1000 pjesëmarrës, zyrtarë të lartë shtetërorë dhe përfaqësues biznesesh nga 57 shtetet e OSBE-së dhe 11 vendeve të tjera të interesuara për bashkëpunim.
Kjo Konferencë dy-ditore është ngjarja e parë e OSBE-së për pjesëmarrësit e sektorit privat, pas Konferencës së OSBE-së për Bashkëpunim Ekonomik, të mbajtur në Bon në vitin 1990.
Qëllimi i Konferencës ishte të iniciojë zhvillim nga aspekti ekonomik dhe nga aspekti i ndërtimit të mirëbesimit politik.
Në kuadër të kësaj konference dy ditore unë gjithashtu mora pjesë në Workshopin "Agjenda e Konektivitetit/Rrjetëzimit të Ballkanit Perëndimor" udhëhequr nga Stefan Fühle, ku të pranishëm ishin zyrtarë nga i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor. Në këtë takim u dha një pasqyrë e punëve dhe përgatitjeve për projektet e dala nga Samiti i Vjenës për Ballkanin Perëndimor.
Si aktivitete shtesë gjatë kësaj Konference dy-ditore u organizuan edhe workshope tjera si -Qendrat ekonomike dhe korridoret e transportit, tregtisë dhe investimeve, si lehtësues për rrjetëzim, -Lehtësimin e tregtisë dhe qeverisjes së mirë, -Sigurimin e linjave të furnizimit, -Transformimet dixhitale, -Platforma e rrjetëzimit BE-Kinë, -Transporti ndërkufitar në Azinë Qendrore dhe KaukazinJugor, -Tregtinë e lirë në rajonet me konflikte të zgjatura, si dhe–Forcimi i lidhjeve ekonomike në hapësirën Euro-Aziatike.
Vazhdimësia e këtyre Konferencave krijon lidhje midis sigurisë dhe ekonomisë. E para është parakusht i patjetërsueshëm për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.