Partia Dyshuese e Korrupsionit (FOTO)
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për 16 vjet më radhë, ka qenë parti bartëse e proceseve në Kosovë, por zyrtarët e saj, gjatë gjithë kësaj kohe, janë përballur me drejtësinë për krim të organizuar dhe korrupsion. Në skandale ekonomike, korrupsion krim të organizuar, nepotizëm etj... janë përfshirë njerëz më me ndikim në parti, që kanë trashëguar grada të larta ushtarake nga koha e UÇK-së.
Nga themelimi i kësaj partie e deri më tani, më shumë se 15 deputetë, kryetarë komunash e ish-komandantë lufte, janë përballur me drejtësinë për krime të ndryshme. Duke qenë partia më së gjati në Qeveri, dhe me tërë aparatin shtetëror në duar, i ka shtuar edhe mundësitë për lehtësira të grupeve të interesit në sektorët kyçë të vendit. Korrupsioni, përmes sistemit të prokurimit, krimi i organizuar në instanca dhe forma të tjera është shtrirë në nivele dhe periudha të ndryshme, ndërkohë që ka fuqizuar me të madhe edhe individë brendapartiakë.
Azem Syla është pjesëtari i fundit i Partisë Demokratike të Kosovës i cili ka probleme serioze me sistemin e drejtësisë. Syla që konsiderohej një ndër figurat me të fuqishme të PDK-së, për tri ditë radhazi u fsheh nga Misioni i EULEX-it, i cili kishte bastisur shtëpinë e tij.
Azem Syla po akuzohet se është prijësi i një grupi kriminal, i përfshirë në keqpërdorime me prona. Ky grup dyshohet se i shkaktoi dëme vendit në vlerë prej 30 milionë eurosh. Sipas versionit zyrtar të Prokurorisë së Shtetit, Azem Syla është kryesues i një grupi të madh të organizuar kriminal, i cili ka qenë aktiv që nga viti 2006 e deri më sot. Ndër të tjera në njoftimin e Prokurorisë bëhet me dije se për çka akuzohet Azem Syla dhe 50 të tjerët.
“Rasti përfshin veprat penale të krimit të organizuar: Pastrim parash; keqpërdorim i pozitës zyrtare; falsifikim i dokumenteve zyrtare dhe dhënie dhe marrje e ryshfetit”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Prokurorisë.
Azem Syla nuk është personi i vetëm i PDK-së që ka ose ka pasur probleme me drejtësinë. Historia e hetimeve, akuzave dhe dënimeve është e gjatë në këtë subjekt politik.
Ndër vite njerëz të fuqishëm të saj u përballën me aktakuza dhe procese gjyqësore, disa prej të cilëve tani po kalojnë kohën në burg.
Problemet e mëdha të PDK-së me drejtësinë fillojnë me rastin MTPT.
Ish-nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj, në kohën sa ishte ministër në MTPT u dyshua për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Në këtë rast u përmend keqpërdorimi i miliona eurove. Limaj vazhdon të përballet me drejtësinë nga një proces në tjetrin, pasi ende nuk është kryer as rasti “Kleçka” në të cilin ai është i akuzuar për krime lufte. Por, Limaj prej se u largua nga PDK-ja foli haptas kundër ish-partiakëve duke thënë se ata ia kishin montuar rastin.
Bajram Rexhepi ishte pjesë PDK-së, por nën udhëheqjen e tij, Ministria e Punëve të Brendshme pësoi një ndër skandalet më të mëdha. Skandali i pasaportave në të cilën buxheti i Kosovës u dëmtua rreth 1.4 milion euro.
Por, ndaj Rexhepit asnjëherë nuk u zhvillua proces i hetimeve, porse njerëz të PDK-së dyshohet se ishin të përfshirë në këtë rast.
Rrustem Mustafa –Remi u përball me procese gjyqësore, por së fundi e humbi edhe mandatin e deputetit pasi Gjykata vendosi që ai të vuante dënimin në burg. Mustafa, që konsideroj njeriu më i fuqishëm në Prishtinë, pasi që ishte komandant i Zonës Operative të Llapit në UÇK, u akuzua për shkelje të kodeve të luftës, ndaj atyre personave që konsideroheshin kolaboracionistë.
Keq e pësoi edhe ish-deputeti i PDK-së, Latif Gashi, i cili akuzohej për krime lufte dhe që tashmë gjendet në burg. Gashi ka qenë njeriu më i afërt me kryeparlamentarin Kadri Veseli, gjatë kohës sa ishin në Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK). Gashi ishte dora e djathtë e Veselit, i cili për tetë vite ishte shef i SHIK-ut.
Sami Lushtaku po ashtu ka pasur dhe ka probleme të shumta me drejtësinë. Ai është duke vuajtur dënimin prej 12 vjetësh për krime lufte pasi u shpall fajtor, po ashtu është i përfshirë në një rast penal që ka të bëjë me një tender të Korporatës Energjetike të Kosovës. Lushtaku pati ikur nga QKUK-ja ku po merrte trajtim. Ai pas disa ditësh ishte dorëzuar sërish pasi forcat policore të Kosovës nuk guxonin të ndërhynin për ta kryer arrestimin. Lushtaku ka qenë kryetar i komunës së Skenderajt dhe njëri nga figurat më vendimtare në PDK edhe pse qëndronte në Drenicë.
Rasti më eklatant është Xhabir Zharku, i cili aktualisht siç duket nga dikur kryetar komune tani është punësuar në qethjen e deleve në Suedi. Zharku ka vite që ka ikur nga drejtësia kosovare. Ai përkundër faktit që akuzohej për vepra penale, jeton i papenguar në Suedi.
Zharku krijoi një kulturë të re në PDK, atë të ikjes “kaçak”. Madje disa herë nga distanca deklaroi se ndaj tij është zhvilluar proces i montuar politik. Zharku ishte pjesë e një grupi kriminal të shtrëngimit dhe posedimit të armëve pa leje.
Në një aksident komunikacioni, kryetari i Ferizajt Bajrush Xhemajli kishte shkaktuar aksident me pasoja fatale. Ndonëse u dënua nga gjykata, Xhemjali kishte hezituar që të vuante dënimin duke u shëtitur i lirë nëpër Prishtinë. Por, në fund ai vendosi që të mbaj deri në fund dënimin e shqiptuar e që ishte burgim efektiv.
Ish-truproja e Hashim Thaçi tani kryetar i Drenasit, Nexhat Demaku, pati probleme të ndryshme me drejtësinë. Ai u akuzua dhe u dënua me 1 vjet e gjashtë muaj burg për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Më i rëndi ishte dënimi prej tre vjetësh për krime lufte ndaj tij. Për krime lufte po ashtu u dënua Fadil Demaku deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës.
Për keqpërdorim me prona ishte dënuar edhe kryetari i Prizrenit Ramadan Muja.
Muja është dënuar me dy vite me kusht për keqpërdorim të pronave publike/komunale por edhe ky i fundit ka vazhduar me ankesa në tentim për të hedhur poshtë vendimin e shkallës së parë. Ndërsa Bajram Mulaku, kryetar i Vushtrrisë po ashtu akuzohet me dyshimin e bazuar se ka keqpërdorur pozitën zyrtare. Ky rast ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorim të buxhetin komunal duke shtruar rrugë jopublike me kubëza betoni.
Edhe Begzad Sinani kishte probleme me drejtësinë por ai u lirua nga aktakuza pasi nuk u vërtetuan dyshimet.
Ish-kryetari i Vitisë, Nexhmedin Arifi, ishte akuzuar për shpërdorim të detyrës zyrtare, por në fund ai u lirua nga dyshimet me vendim të Gjykatës së Apelit.
As kryetari i Lipjanit nuk mund t’iu ikë problemeve me drejtësinë. Shukri Buja u akuzua dhe pastaj u dënua për fshehje të pasurisë. Buja u dënua nga Gjykata Themelore në Prishtinë me katër muaj burg me kusht dhe 2 mijë euro gjobë për mosdeklarim të pasurisë, gjatë kohës sa ishte kryetar i komunës së Lipjanit. Këtë dënim Buja e kishte cilësuar si politik.
Por, edhe ndaj të fortit tjetër të PDK-së, Sokol Bashota, u hapën hetime për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Për të ende nuk ka aktakuzë.
Të ikin të “korruptuarit”
Ky numër kaq i madh i zyrtarëve të PDK-së që po përballen me drejtësinë siç duket ka shqetësuar edhe Kadri Veselin i cili pritet të zgjidhet udhëheqës i ri i PDK-së.
Duke iu referuar rastit të deputetit Azem Syla, Veseli kërkoi largimin nga institucionet të të gjithë të dyshuarve. “Unë inkurajoj të tjerët aktorë politikë dhe funksionarë të lartë shtetërorë, që gjenden para akuzave apo kanë çështje të tilla të hapura me drejtësinë, që të ndjekin rrugën e njëjtë dhe të tërhiqen nga detyrat e rëndësishme që kanë në mënyrë që ta lënë drejtësinë sa më të lirë në përmbushjen e detyrës së vet”, tha Veseli.
Përfitimet e paligjshme janë kthyer në dashuri për shumëkë
PDK-në, parti të shkeljeve e quan Burim Ramadani. Ky i fundit që deri vonë ishte pjesë e politikës ka thënë se partia që udhëhiqej nga Hashim Thaçi tradicionalisht u ka prirë shkeljeve.
“Logjika e instaluar politike e strukturës së vjetër në Kosovë është e ngjashme në shumë parti kosovare, institucione dhe mekanizma të tjerë shtetërorë. Fatkeqësisht, përfitimi i paligjshëm është kthyer në një dashuri për shumëkë. PDK-ja ka prirë tradicionalisht me numrin më të madh të shkeljeve, por edhe partitë tjera i kanë shkuar pas. Logjika politike ndaj drejtësisë në Kosovë është disi kështu: Disa pushtetarë i shmangen drejtësisë, ndërsa disa opozitarë nuk e njohin fare drejtësinë. Nuk e di cila është më e keqe, porse gjithsesi të dyja janë logjika të papranueshme” ka thënë Ramadani.
Ndërkohë për PDK-në fjalë të rënda ka thënë edhe Ylli Hoxha i “Vetëvendosjes”. Ky i fundit e ka thënë se rasti i fundit i deputetit Azem Syla e dëshmon më së miri funksionimin e koalicionit qeveritar PDK-LDK në favor të korrupsionit dhe keqpërdorimeve.
“Për më tepër në këtë rrjet të udhëhequr nga një deputet i PDK-së, njëherësh njeri me ndikim në kreun e kësaj partie dhe i afërt me Hashim Thaçin e Kadri Veselin, pjesëmarrës ishte edhe një drejtor komune i Isa Mustafës, dhe të gjithë së bashku ishin të lidhur me ish-oficerë të MUP-it”, ka thënë Hoxha.