Paraqitja e historisë së Kosovës në tekste mësimore

Tekstet mësimore të historisë së pesë shteteve, Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi janë objekt i studimit të raportit të historianit Shkelzen Gashi. Përmes pesë kapitujve, për origjinën e shqiptarëve, për Kosovën Mesjetare deri në fund të sundimit serb, për Kosovën nën sundimin serb, për Kosovën nën sundimin e Perandorisë Osmane deri në vitin 1912 dhe kapitulli i pestë për Kosovën nën sundimin serb prej vitit 1912 deri në vitin 1999, Shkelzen Gashi tregon se ngjarje të ndryshme që kanë karakterizuar këto periudha kohore, janë prezantuar ndryshe në tekstet e historisë së shteteve që i ka hulumtuar.

“Karakteristika e parë e teksteve mësimore të Kosovës dhe Shqipërisë është se u kushtojnë shumë njësi mësimore ilirëve, ku ilirët glorifikohen me lavde entuziaste pa kurrfarë mbulese, kurse në anën tjetër tekstet e Maqedonisë, të Serbisë, të Malit të Zi kanë shumë pak tekste për ilirët dhe i tipizojnë negativisht”, ka thënë Gashi, i cili raportin “Historia e Kosovës në tekstet e Historisë së Kosovës, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë” e prezantoi në Qendrën Informative e Kulturore të BE-së.

Në kapitullin e dytë, Gashi tregon për Kosovën Mesjetare, këtu përfshihet sundimi bizantin, bullgaro-maqedonas dhe risundimi bizantin. Sipas tij, kjo është një periudhë komplet e errët e historisë së Kosovës, por edhe e Shqipërisë.

“Tekstet e Kosovës nuk i prezantojnë plaçkitjet e sllavëve në Ballkan, siç bëjnë shtetet e rajonin në tekstet e historisë”, është shprehur Shkëlzen Gashi, duke shtuar se tekstet e historisë së Malit të Zi janë më korrektet që i ka analizuar. Ai ka thënë se Kosova në sundimin e Serbisë mesjetare, gati dyshekullor, nuk prezantohet gati fare në tekstet e historisë së Kosovës. “Tekstet e Kosovës dhe Shqipërisë duan që të mohojnë sundimin gati dyshekullor të Serbisë mesjetare në Kosovë”, shprehet Shkëlzen Gashi. Ai ka treguar se Car Dushani në Serbinë mesjetare përveç se e ka kontrolluar territorin e sotëm të Serbisë, e ka kontrolluar edhe territoret e sotëm të Malit të Zi, të Kosovës, të Maqedonisë, të Shqipërisë, madje ka arritur dhe në Greqi. “Krejt këtë e ka bërë falë bashkëpunimit që e ka pasur me shqiptarët. Ai ka pasur miq të mirë shqiptarë. Në disa vende ai e cilëson mbretërinë e tij mbretëria serbe-greke-arbërore ose shqiptare”, ka thënë Gashi, duke shtuar se këto bashkëpunime nuk përmenden në tekstet mësimore të Kosovës, Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë, por vetëm në ato të Malit të Zi.

Shkëlzen Gashi ka thënë se ekziston regjistrimi për krimet që janë kryer në Kosovë në vitin 1998-99, nga dy organizata, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, dhe në Beograd e ka kryer Fondi për të Drejtën Humanitare.

“Të dy këto organizata thonë se numri i të vrarëve civilë shqiptarë në Kosovë është rreth 8100 civilë. Në tekstet e historisë mësimore në Kosovë ky numër është 25 mijë, në të Serbisë është zero”, ka thënë Gashi.