'Pri Film Fest' gati për edicionin e tetë
“Pri Film Fest” është gati për edicionin e tetë. Nëpër edicione festivali është rritur në përmbajte e në cilësi. Në festivalin që do të shfaqen 75 filma, do të prihen nga “Mediterranea”. Drejtoresha e “Pri Film Fest”, Vjosa Berisha, tregon për “Zërin” se janë gati të hapin siparin në 22 prill.
“Do t’i sjellim publikut dhe profesionistëve të filmit një ‘Prishtina International Film Festival’ duke u rritur çdo vit në cilësi dhe përmbajtje edhe pse kjo nuk korrespondon në proporcion me buxhetin që do të duhej të rritej”, ka thënë Berisha, sipas të cilës ky edicion vjen me shumë risi. “Ajo çka shënon një moment kyç është hapësira jonë më e re: Prishtina Randezvous, e cila do sjellë kompani të mëdha të botës së kinemasë në fushën e distribuimit dhe shitjes së filmit”, ka treguar Berisha, duke shtuar se ky takim do shënojë një pikë kthese në kinematografinë e rajonit. “Për shkak se do t’i japë jetë një sërë bashkëpunimesh të cilat jo vetëm do ta shpien industrinë një hap më para në zhvillim, por do të zgjerojë rrjetin e bashkëpunimit midis profesionistëve të filmit”, është shprehur Berisha, duke shtuar se këtë vit “Prifest”-i do t’i bashkohet 60 festivaleve të tjera të botës, të cilat kanë një Kino Kabaret. “Një projekt i kushtuar artistëve të rinj i cili u jep atyre mundësinë jo vetëm të njihen me artistë të tjerë, por mbi të gjitha të krijojnë një prodhim të tyrin në një kohë rekord dhe ta shfaqin atë në ekranin e PriFest-it”, ka treguar Berisha, duke cekur se “Green Film Project” i kushtohet të rinjve dhe çështjeve të ambientit në Kosovë. Ajo ka duke treguar se janë në procesin e seleksionimit ku 10 filma do të përzgjidhen për t’u shfaqur para publikut dhe do të garojnë për çmimin që është një kamerë profesionale për filmin më të mirë. “Si dhe American School of Kosova Film Festival i është bashkuar ‘Prifest’-it. Gjatë 22-29 prill do të shfaqen dhe punët e talentuara të të rinjve që nga Rusia, Irani e deri në Kanada”, ka thënë drejtoresha e “Pri Fest”-it, duke treguar se këtë vit festivalit i janë bashkuar partnerë që sjellin “Torino Film Lab”, “Script Circle” që do të zhvillojnë trajnimet e aktivitetit disavjeçar që e kanë “Best Pitch”.
Sipas saj, në këtë edicion do të ketë dhe debate për çështje delikate siç janë homofobia e shoqërive të Ballkanit, debat mbi krimet e luftës, dhe çështjen e sindromit down. Vjosa Berisha ka thënë se këtë vit kanë bërë një përzgjedhje të filmave në të gjitha kategoritë. “Programin ‘PriDocs’ e kemi më shumë prezantues se nuk është as garues por me kualitetin që e kemi brenda dhe do ta sjellim para publikut na është dashur patjetër t’i kushtojmë vëmendje të madhe”, ka treguar Berisha, sipas të cilës në këtë edicion kanë rreth 75 filma, duke përfshirë premiera absolute në Kosovë. “Përpos filmave të ‘Green Film Project’ dhe filmave të ‘ASK Film Festival’, në ekranin e ‘PriFest’-it do të shfaqen 2 premiera botërore: ‘Tashi Delek’ dhe ‘The Return’, një premierë ndërkombëtare, 3 premiera evropiane dhe 10 premiera rajonale”, ka thënë ajo duke shtuar se filmi “Mediterranea” do të çelë festivalin, ndërsa Alassane Sy do të jetë i pranishëm. “Dhe do të garojë në kategorinë ‘European Film Competition’, ‘United State of Love’, filmi i fitues i trofeut ‘Silver Bear’ në Berlinale, apo filmi ‘Rams’ fitues në Festivalin e Filmit në Kanë e deri te ‘Mustang’, filmi i nominuar për çmim ‘Oscar’. Kategoritë garuese janë ‘Honey&Blood Competition’, ‘European Film Competition’ dhe ‘Middle-Length Competition’. Përpos tyre, në program përfshihen filmat dokumentarë në programin e “PriDocs”, dy programe Focus ai i Fipresci dhe Focusi në kinematografinë amerikane, Programi ‘Let it be’, ‘Special Screenings’, ‘British Night’ si dhe ‘Swiss Night’”, është shprehur Berisha.
Vjosa Berisha ka thënë për “Zërin” se juria ende nuk është shpalosur. “Do të ketë një numër të madh producentësh nga Anglia, Danimarka, Turqia, Afrika e Jugut, do të ketë dhe regjisorë, distributorë filmi, aktorë e kështu me radhë, këto ditë do të dalim me emrat e tyre”, ka treguar Berisha, sipas të cilës juria prestigjioze ndërkombëtare e kritikëve të filmit “Fipresci” e cila është prezente në shumë festivale në botë, ka vendosur që të vijë edhe në Kosovë për të vlerësuar filmat në kategorinë e Ballkanit. “Kjo ka rëndësi të madhe për ne sepse na vendos në një rang me shumë festivale prestigjioze në botë. Juria ‘Fipresci’ në ‘PriFest’ përbëhet nga tre kritikë filmi nga Holanda, Izraeli dhe Italia dhe po sjell edhe një program fokus të filmave që do t’i shfaqim në festival, filma që kanë fituar çmimin ‘Fipresci’ në festivale tjera”, është shprehur Berisha, duke shtuar se janë rreth 200 mysafirë të huaj që do të vinë në Prishtinë për të prezantuar filmat që do të sjellin.
“Kemi mysafirë që do të jenë pjesë e ‘Prishtina Kino Kabaret’ që për një javë rresht brenda festivalit do të prodhojnë filma të shkurtër për Prishtinën sipas konceptit të ‘Kino Kabaret’ në botë dhe do t’i shfaqin filmat e tyre në festival në ditën e fundit”, ka thënë Berisha, duke cekur se “Priforum” mbetet shtylla mbi të cilën ngrihet “PriFest”. “Këtë vit kemi shpallur bashkëpunimin me ‘Torino Film Lab’ dhe ‘Script Circle’ të cilët do zhvillojnë disa uorkshope gjatë ‘Best Pitch Competition’ mbi ‘Pitching’ dhe ‘Audience Design’ dhe ‘Script Development’. Do të kemi disa uorkshope shumë të rëndësishme mbi bashkëprodhimin midis kompanive të produksionit nga shtete të ndryshme, promovimin e filmave, leksione se si ta udhëheqësh filmin tënd drejt çmimeve “Oscars”, casting dhe agjenci të talentit të cilët do të vijnë të njihen me aktorët e rajonit tonë etj.”, ka treguar ajo, duke cekur se mbështetja financiare nuk është e mjaftueshme.
“Është zvogëluar buxheti dukshëm ndërkohë që aktivitetet janë shumë të mëdha dhe numri i mysafirëve është enorm”, ka treguar Berisha, duke shtuar se Ministria e Kulturës i ka përkrahur me pothuajse 50% më pak se që kanë pasur në 6 vitet e para. “Kjo është fatkeqe sepse nuk e kuptojmë në çfarë kriteri bazohet ky gjykim. Disa ministri tjera nuk po tregohen të gatshme të ndihmojnë fare pa marrë parasysh se festivali ka një zë të fuqishëm diplomatik dhe e ndihmon në shumë aspekte shtetin”, është shprehur Berisha, e cila thotë se kanë marrë një përgjigje pozitive nga Komuna e Prishtinës dhe po presin të kuptojmë se sa mund të jetë përkrahja. Për Vjosa Berishën sfida më e madhe për organizimin e një festivali mbetet ajo financiare. “Si ekip kapacitetin organizativ e kemi, por sigurisht se organizimet e tilla kanë kosto të mëdha dhe kjo nuk kuptohet në Kosovë. Ka shumë pak përkrahje nga institucionet vendore dhe duhet të kishte shumë më shumë”, është shprehur Berisha.