Liderët opozitarë nuk po e dinë më se çfarë duan

Tri partitë opozitare që kanë formuar shtatë muaj më parë bllokun opozitar, Lëvizja “Vetëvendosje”, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe “Nisma për Kosovën”, mund të përfundojë më shpejt se që ishte menduar.

Pas përçarjeve të fundit që kanë ndodhur në mes të subjekteve opozitare për protestën e 26 marsit, analisti politik Halil Matoshi vlerëson se edhe opozita kosovare që para pak ditësh ishte e bashkuar rreth kauzave, doli që të mos jetë as unike.

“Opozita kosovare që deri para pak ditësh ishte e bashkuar rreth dy kauzave, doli që të mos jetë aq unike, sidomos rreth aspekteve ideologjike dhe programore porse, çarja erdhi si pasojë e jounitetit për sa u përket metodave të protestimit. Dhe aktualisht, pas fërkimeve të fundit (viktimë e të cilave ishte Donika Kada-Bujupi) as vetë liderët opozitarë nuk po e dinë më se çfarë duan!? Të vazhdojnë bashkë ose të kalkulojnë mundësinë e pjesëmarrjes në pushtet”, ka thënë Matoshi për “zëri.info”.

Matoshi ka thënë se AAK-ja duket se tashmë ka marrë një ofertë nga segmente të pushtetit, mirëpo sipas tij ajo është në fazën kur duhet të vlerësojë dëmet eventuale nëse e braktisë opozitarizmin dhe hyn në Qeveri.

“ Opozita do të vazhdojë "bashkë" porse efektet e protestës janë në rënie e sipër dhe ajo duhet ta rimendojë veten. E nëse ndahet edhe zyrtarisht, atëherë ky do të jetë rezultat i pushtetit që ia paskësh dalë ta thyej opozitën nga brenda për t'ia zgjatë jetën vetes”, ka thënë Matoshi.

Ndërkaq, Opozita mohon përçarjen. Sipas tyre është e natyrshme që të ketë mospajtime , ashtu siç mund të ketë mospajtime dhe brenda një subjekti politik për çështje të caktuara.

Adonis Tahiri, nga Lëvizja “Vetëvendosje”, e ka mohuar mundësinë që opozita të përçahet. Sipas tij, opozita e bashkuar duhet të forcohet edhe më shumë për ta larguar Qeverinë “Musfata”, që ai e konsideron si regjim autoritar. 

Edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, e ka mohuar mundësinë që bllokun opozitar, LVV, AAK, “Nisma”, ta përcjellë fati i bllokut VLAN.

“Nuk ka asgjë në drejtimin e përçarjes së opozitës. Opozita është e bashkuar sepse janë dy çështjet kryesore që na kanë bashkuar, dy temat që gjithë opinioni i di: Asociacioni dhe Demarkacioni me Malin e Zi. Pra, këto dy çështje na kanë bashkuar dhe nuk do të kemi përçarje deri në zgjidhjen e këtyre problemeve”, është shprehur Haxhiu.