“AVSI” - Guarimoli do t’u ndihmojë pacientëve kosovarë që trajtohen në Itali
Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës dhe Shoqata Humanitare”AVSI”- Guariamoli nënshkruan sot Marrëveshje bashkëpunimi me qëllim të përkrahjes së trajtimit të pacientëve - fëmijëve kosovar në Itali.
Përmes Marrëveshjes së nënshkruar nga ministri Imet Rrahmani dhe Marash Kukeli, përfaqësues përgjegjës për Kosovë i AVSI-Guarimoli, kjo shoqatë do t’i ofrojë Ministrisë së Shëndetësisë asistencë për pacientët, përkthimin, përgatitjen e dokumenteve, shoqërimi në ambasadë për vizë, sigurimin e trajtimit të fëmijëve dhe të sëmurëve të tjerë në Spitalet e ndryshme të Italisë pa pagesë ose me pagesë të reduktuar, transmeton Koha.net.
Ministri Rrahmani ka falënderuar Shoqatën AVSI për ndihmën që deri tash u ka ofruar pacientëve kosovarë të trajtuar për sëmundje të ndryshme në Itali, ndërkohë që ka vlerësuar se aktivitetet e bashkëpunimit do ta kenë për qëllim mbështetjen e pacientëve me qëllim të lehtësimit të marrjes nga ana e tyre të shërbimeve mjekësore në Itali për ato sëmundje që nuk mund të trajtohen në tërësi në Kosovë.
Nga viti 2011 e këtej, në Itali janë trajtuar përmes Ministrisë rreth 150 raste të ndryshme, prej të cilave pjesa më e madhe e tyre falas, falë bashkëpunimit me autoritetet shëndetësore italiane të niveleve të ndryshme.