Në Gjinekologji vdes 27-vjeçarja, rasti në Prokurori
Ende nuk ka përfunduar raporti i Mjekësisë Ligjore që do të qartësojë vdekjen e mësueses 27-vjeçare nga Gjilani, e cila ndërroi jetë më 3 mars 2016, pak orë pasi lindi beben e saj në Spitalin e Gjilanit. Prokuroria po e cilëson vdekjen si të dyshimtë dhe po heton për neglizhencë mjekësore
Ajo nuk ka arritur të shohë as edhe një herë fytyrën e foshnjës që solli në jetë. 27-vjeçarja nga Gjilani, ka ndërruar jetë vetëm pak orë pasi lindi beben e saj të gjinisë mashkull, në Spitalin e Gjinekologjisë në Gjilan.
Derisa ende nuk dihet shkaku i saktë i vdekjes së mësueses Arbenita Spahiu, Prokuroria në Gjilan këtë vdekje e ka cilësuar të dyshimtë, duke urdhëruar kryerjen e obduksionit.
Dyshimet e Prokurorisë janë se gruaja që lindi për herë të parë beben e saj në Spitalin Regjional në Gjilan më 3 mars 2016, ndërroi jetë si pasojë e një gjakderdhjeje që nuk u lokalizua edhe si rezultat i neglizhencës mjekësore.
Jetish Maloku, kryeprokuror i Prokurorisë në Gjilan, ka thënë për “Zërin” se Prokuroria bazuar në dyshimet fillestare ka urdhëruar kryerjen e obduksionit.
Prokuroria: Rasti po hetohet për lëshime eventuale mjekësore
“Është iniciuar një procedurë hetimore dhe ne dyshojmë për lëshime eventuale dhe neglizhencë mjekësore. Për shkak të këtyre dyshimeve, në pajtim me familjarët, kemi kërkuar obduksionin dhe ekzaminimet në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Po presim raportin nga Instituti për Mjekësi Ligjore në lidhje me këtë rast”, ka thënë kryeprokurori Maloku.
Ndërsa drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, Arsim Gërxhaliu, është shprehur se raporti do të kryhet sapo të përfundojnë edhe disa analiza patologjike.
“Varet sa kohë do të na marrin analizat. Sapo të përfundohen analizat do t’ia dorëzojmë raportin Prokurorisë”, ka thënë Gërxhaliu.
Agim Kryeziu, drejtor klinik në Spitalin Rajonal të Gjilanit, ka thënë për “Zërin” se pacientja ishte shtrirë në Spital një ditë para se të ndërronte jetë, konkretisht më 2 mars 2016.
“Ka ardhë në spital dhe është kontrollu nga ana e gjinekologut. Është hospitalizuar në Gjinekologji. Gjatë natës ka qenë mirë dhe nuk ka pasur ndonjë problem. Të nesërmen në mëngjes stafi mjekësor ka kryer vizitat e përbashkëta të mëngjesit. Atë kohë është parë se është mirë dhe po i afrohet terminit të lindjes”, ka thënë Kryeziu.
Ndërkohë, ai ka thënë se është kërkuar që pacientja tashmë e ndjerë të futet në sallë. “Lindja ka qenë normale. Ka lindur një bebe që ka qenë e lodhur dhe e vuajtur si rezultat edhe i problemeve të shtatzënisë”, ka thënë ai.
Përveç stafit në gjinekologji, thotë se janë konsultuar edhe stafi i anesteziologëve dhe neonatologëve, për shkak të bebes.
Sipas procedurës spitalore, nëna ka qëndruar në Gjinekologji. “Ndërkohë ka fillu një gjakderdhje tinëzare. Janë bërë disa qepje…”, thotë drejtori klinik, sipas të cilit, pavarësisht kësaj, nuk është arritur të ndalohet gjakderdhja.
“Tash këta kanë fillu sërish ekzaminimin duke hulumtu se çka po ndodhë me atë gjakderdhje… Është marrë për t’u futur në operacion. Por, gjendja është rënduar dhe puna nuk ka shkuar mirë. Pacientes i është rënduar gjendja, pavarësisht dhënies së infuzioneve dhe dozave të gjakut”, ka thënë doktori sipas të cilit gjakderdhja është rritur dhe pas keqësimit të madh të gjendjes, pacientes i kishte rënë shumë pulsi.
“Kanë fillu reanimimin por nuk ka mundur të transportohet për në QKUK pasi gjendja është rënduar shumë për një periudhë rreth gjysmë ore”, ka thënë drejtori Kryeziu.
Kështu, ai ka thënë se rreth orës 11 pacientja ka ndërruar jetë.
Drejtori klinik, po ashtu, ka konfirmuar se dosjen e pacientes e kanë marrë organet e hetuesisë.
Familjarët: Nuk do të flasim derisa të dalë raporti i obduksionit
“Mjekët e Spitalit kanë kërkuar të bëhet obduksioni. Por, bashkëshorti dhe baba i vajzës nuk kanë pranuar të kryhet kjo procedurë”, ka thënë drejtori klinik.
I pyetur nëse brenda Spitalit kanë vërejtur ndonjë element të pakujdesisë mjekësore, drejtori klinik ka thënë se nuk kanë parë diçka të tillë.
“Për vete këtë informatë nuk e kam. Bile familjarët janë falënderuar për angazhimin që është bërë”, ka thënë Kryeziu.
Anton Spahiu, bashkëshorti i të ndjerës, nuk ka dashur të komentojë shkakun e vdekjes së bashkëshortes së tij, derisa për këtë të mos dalë një raport i obduksionit.
“Më vjen shumë keq, por nuk mund të flasim në këtë moment. Bëhet fjalë për vdekje të dyshimtë. Por do të presim raportin e Mjekësisë Ligjore”, i ka thënë Spahiu, ekipit të “Zërit”, para shtëpisë ku po bëhen pritjet për vdekjen e 27-vjeçares.
Ajvaz Beqiri në anën tjetër është drejtor i shkollës “Vesel Muja” në Bresalc, ku deri më 1 mars të këtij viti, Arbenita Spahiu ka kryer punën e saj prej mësimdhënëseje.
“Arbenita ka punuar mësuese e ciklit klasor në paralelen e ndarë në Ponesh. Deri më 1 mars ka qenë në punë. Pas kësaj date ka marrë pushimin e lehonisë. Kurse ne, më 3 mars në ora 12 e 15 minuta, kemi marrë lajmin e hidhur për vdekjen e saj”, ka thënë Beqiri, drejtor i shkollës ku ka punuar e ndjera.